“Vodafone Albania” sërish në ndihmë të paraplegjikëve
“Vodafone Albania” është angazhuar në një fushatë të re në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara dhe për rehabilitimin e tyre në shoqëri. Në kuadër të projektit "Shërbime mbështetëse për personat me aftësi të kufizuar, përdorues të karrigeve me rrota", që është duke u zbatuar nga Fondacioni shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, realizuar me financim të fondacionit “Vodafone Albania”, është duke u organizuar në Golem të Durrësit, kampi i rehabilitimit aktiv “Aftësim për jetesë të pavarur“, nëpërmjet të cilit do të përfitojnë 30 persona me aftësi të kufizuar dhe familjarë të tyre. Ky është një aktivitet që Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar organizon periodikisht çdo vit që prej vitit 1996, me mbështetjen e donatorëve të ndryshëm si OXFAM UK, Novib-Netherlands, USAID-i, si dhe kompanisë “Vodafone Albania”. Ky është viti i pestë radhas që kompania “Vodafone Albania” mbështet zbatimin e projektit të Fondacionit për prodhimin e karrigeve me rrota si dhe trajnimet përkatëse, nga ku përllogaritet një numër prej rreth 195 përfituesish. Kampi i Rehabilitimit Aktiv “Aftësim për Jetesë të Pavarur” ka për qëllim të trajnojë përdoruesit e rinj të karrigeve me rrota dhe familjarët e tyre për të fituar aftësi praktike për përdorimin e karrigeve me rrota, me qëllim për të kontribuar në pavarësinë e tyre në jetën e përditshme. Në të do të përfshihen sesione të plota trajnimi të tilla si shkëmbime informacioni, aktivitete praktike mbi teknikën e rehabilitimit aktiv, fizioterapi, modele sociale, këshillim e orientim ligjor, shërbime sociale dhe argëtim.
11 Tetor 2008