E Diel, 1 Nëntor 2026

Tapitë e tokave bujqësore, nisin verifikimet në Korçë dhe në Fier



FIER/KORÇË – Ngrihen komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë të përfituar përmes Ligjit 7501, apo ligjeve të tjera për ish-ndërmarrjet bujqësore në qarqet e Fierit dhe të Korçës. Drejtuesit e prefekturave të këtyre dy zonave kanë prezantuan dje stafet që do të merren me procesin e verifikimit dhe që nga dita e hënë do të nisin punën e tyre. Ky hap është ndërmarrë menjëherë pas miratimit të ligjit “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, ku është parashikuar ngritja e Komisionit Qeveritar të Tokës, nën kryesimin e zëvendëskryeministrit dhe Komisionit Vendor, i cili drejtohet nga prefekti. Burimet zyrtare pohojnë se në rrethet e Korçës dhe Fierit tashmë ka nisur punën dhe do të fusin në sitë të gjitha vendimet e dhëna nga komisionet e shpërndarjes së tokës që nga viti 1991, procedurë e cila duhet të përfundojë në një periudhë 3-vjeçare.
Fier
Prefekti i qarkut të Fierit, Shahin Bejdaj, thirri dje në mesditë në një takim stafin e Prefekturës, për t'iu prezantuar komisionin e verifikimit të titujve të pronësisë. Kryetar i këtij komisioni është Arben Zaimi, nga qyteti i Lushnjës, me formim profesional si agronom, ekonomist dhe jurist. Prefekti Bejdaj theksoi se komisioni i sapokrijuar gëzon statusin e nëpunësit civil dhe se në përzgjedhjen e anëtarëve të tij. “Gjatë tre viteve të punës ky komision duhet t'u japë fund padrejtësive, pazareve dhe abuzimeve me pronat, nëpërmjet vendimeve të drejta,të bazuara në Ligjin 7501 të ndarjes së tokës", - tha Bejdaj, duke shprehur bindjen se ky komision "do të zgjidhë lëmshin e ngatërruar, duke prekur interesa dhe skenarë të korrupsionit pasiv".
Korçë
Komisioni vendor për verifikimin e titujve të pronësisë në qarkun e Korçës tashmë është ngritur dhe do të fillojë punë nga dita e hënë e javës së ardhshme. Këtë e bëri të ditur prefektja e Korçës, Elfrida Zefi, e cila tri ditë pas takimit me kryeministrin Sali Berisha, ku u diskutua për procesin e verifikimit të titujve të pronësisë, ka ngritur komisionin vendor për këtë proces. "Nuk mund të them aktualisht se sa tituj pronësie do të verifikohen në rajonin e Korçës, por them se është një punë voluminoze dhe se ne do të tregohemi të sinqertë dhe të paanshëm në këtë proces", - u shpreh prefektja Zefi.
Ajo sqaroi se do të bashkëpunohet me struktura shtetërore, si Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo zyra të tjera që kanë si funksion shërbimin në çështje të pronësisë, për të realizuar këtë proces 3-vjeçar të verifikimit të titujve të pronësisë.
Ligji
Ky është miratuar disa muaj më parë, pa konsensusin e opozitës. Paketa ligjore ka për synim të përcaktojë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore; strukturat shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të dhënë në pronësi personave, fizikë ose juridikë, vendas, si dhe detyrat e përgjegjësitë e këtyre strukturave. Për realizimin e procesi ngrihet Komisioni Qendror i Tokave pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe drejtohet nga zëvendëskryeministri. Po ashtu, në çdo qark është parashikuar ngritja e komisioneve vendore pranë institucionit të prefektit. Komisioni Qendror i Tokës mbikëqyr veprimtarinë e komisioneve vendore, merr vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve për kufijtë e zërit kadastral të tokës bujqësore. Ndër pikat thelbësore të këtij ligji është se Komisioni Qendror, por edhe ato vendoret iu propozojnë organeve eprore dhënien e masave disiplinore dhe administrative, ndaj drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të tjera shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën. Për çdo rast, kur vëren moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera nënligjore, në zbatim të tij. Në lidhje me realizimin në terren ligji përcakton detyrat dhe përgjegjësitë që kanë të bëjnë me funksionimin e komisioneve vendore; së pari ai zgjidh mosmarrëveshjet për kufijtë e tokës bujqësore ndërmjet rretheve, qarqeve, komunave dhe fshatrave, si dhe konfliktet mes individëve dhe ish-komisionit të ndarjeve të tokës së fshatit. Madje, merr vendime përkatëse për çdo mosmarrëveshje ose konflikt për zbatueshmërinë ligjore të titujve të pronësisë. Në rastet kur individët apo subjektet nuk i pranojnë vendimet e komisioneve vendore, e vetmja mundësi është gjykata. Hyrja në fuqi e këtij ligji ka vënë përballë faktit të kryer shqyrtimin e të gjithë titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, ndonëse opozita e ka konsideruar një proces që do të risjellë në skenë konflikte të reja përsa i përket pronës.

Kthimi i emigrantëve ilegalë alarmon policinë, nisin kontrolle në bregdet

VLORË – Shtimi i ndjeshëm i rikthimit të emigrantëve ilegalë nga vendet fqinjë drejt Shqipërisë ka shtuar dyshimet për rritje të trafikut ilegal të klandestinëve. Kjo është bërë shtysë për organizimin e një operacioni policor në shkallë të gjerë, të koduar me emrin “Deti i pastër”, përmes të cilit është ushtruar kontroll i rreptë përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Saranda deri në Lushnjë. Ky është realizuar nga Delta Forcë, Policia e Kufirit dhe specialët e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kanë bërë një ‘krehje’ të zonave me dalje në det. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, për Vlorën, Myzafer Elezi në këtë operacion janë verifikuar të gjitha mjetet e lundrimit, gomonet, peshkarexhat etj. Ende nuk ka shifra për evidentimin e gjurmëve të trafikut, së paku në mënyrë zyrtare, por mësohet se operacioni nisi pas dyshimeve për lëvizje të mundshme për trafikim në këto zona. Sipas tij, shkak janë bërë edhe të kthyerit e shumtë nga policitë e vendeve fqinje gjatë ditëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë identifikuar tri nga linjat më të përdorura për t’u larguar nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi duken si vendet transit ideale, ndërsa Italia, si më e pëlqyera për të qëndruar. Vetëm nga pika e Qafë Botës numri i personave të kthyer mund të shkojë deri në 30 ose 50 në ditë të caktuara. Itineraret e zbuluara janë për pjesën më të madhe Shqipëri- Kakavijë- Gumenicë- Ankona. Po kështu, itinerar tjetër është Maqedoni-Selanik- Gumenicë-Ankona. Ndërkaq, të tjerë persona kanë treguar se për kalimin e tyre është shfrytëzuar linja Shkodër- Mali i Zi- Kroaci-Itali.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›