Droga, kapet shpërndarësi në gjimnaze
TIRANE- Prangoset shpërndarësi drogës së shkollave, pranë gjimnazit “Partizani”. Policia i gjen në banesë dhe i sekuestron një sasi droge me vlerë më tepër se 1 milionë lekë të vjetra. Brunis Shaqja, 23 vjeç, banues në Tiranë, është ndaluar nga oficerët e zyrës së Antidrogës së Policisë së Tiranës, pas gati një jave hetimi dhe mbajtje nën vëzhgim nga agjentët e antidrogës. Shaqja, është ndaluar në rrugën “4 Dëshmorët”, sapo kishte dalë nga banesa e tij me një sasi prej 7 doza marijuane. Kjo, sipas burimeve të policisë, ishte e vetmja mënyrë për ta ndaluar, duke qenë se vazhdimisht ai e linte drogën në vende të fshehta dhe të mbyllura. Sapo e kanë kapur, blutë i kanë gjetur në trup në pjesën e përparme 7 qese me marijuanë. Më pas, gjatë kontrollit të një shtëpie në pronësi të tij, të përshtatur për mbajtjen e drogës, blutë kanë gjetur edhe mallin. Sipas tyre, droga ishte fshehur në një dollap e paketuar në 265 doza të futura në qese farmaceutike. Nga vëzhgimi i kryer nga agjentët e policisë, është mësuar se shpërndarësi e dërgonte marijuanën tek përdorues të ndryshëm, nxënës shkollash kryesisht të mesme. Një prej tyre ishte edhe gjimnazi “Partizani”, jo shumë larg banesës së tij. Vetë i arrestuari ka pretenduar se mallin e kishte gjetur rastësisht një ditë, kur kishte qenë në Gjirokastër. “Pashë një qese rastësisht e mora dhe pashë që kishte marijuanë”, ka pohuar i arrestuari. Ndërkaq blutë dyshojnë se i arrestuari ka edhe disa bashkëpunëtorë të tjerë, me të cilët mendohet se shpërndante mallin. Shaqja tashmë akuzohet për shitje dhe posedim të lëndëve narkotike. d.b