E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebelohet Lul Berisha, s‘pranon avokatin e caktuar nga Gjykata

 

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda nuk ka mundur të vazhdojë edhe dje shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të “Bandës së Durrësit”. Shkak për dështimin e seancës, e cila ishte e 58-ta në radhë që pësoi të njëjtin fat, është bërë i cilësuari si kreu i kësaj bande, Lulëzim Berisha dhe avokati i tij mbrojtës Agron Gjedia. Edhe pse mbrojtësi Gjedia, i caktuar kryesisht nga gjykata, përfaqësonte interesat e të pandehurit Berisha qe prej 3 muajsh, dje klienti i tij kërkoi përjashtimin e avokatit. Duke u larguar në mënyrë demonstrative nga kafazi i sallës së gjyqit, i pandehuri Berisha pohoi se “Me avokatin e shtetit kam konflikte të vjetra familjare”. Menjëherë pas tij, nga salla e gjyqit është larguar edhe avokati Gjedia, me pretendimin se ishte dakord me kërkesën e klientit të tij. Ndërsa kryesuesi i pesëshes gjykuese të kësaj çështjeje, gjyqtari Gurali Brahimllari, i bëri me dije palëve gjithë kronologjinë e dështimeve të seancave të këtij gjykimi. Sipas tij, “nga 58 seanca që janë zhvilluar deri dje, 37 të tilla janë shtyrë për shkak të mosparaqitjes, ose largimit të një apo më shumë mbrojtësve nga salla e gjyqit”. Gjithashtu gjykata u shpreh se pretendimi i të pandehurit Lulzim Berisha dhe i avokatit të tij mbrojtës, Agron Gjedia, ishte i padrejtë dhe i qëllimshëm për zvarritjen e procesit. “Sjellja e avokatit është neglizhente dhe e qëllimshme”, pohoi kryesuesi Brahimllari. Gjithashtu gjykata vendosi njoftimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për avokatin Gjedia dhe të Ministrisë së Drejtësisë për situatën e krijuar.             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›