E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga me postë, Prokuroria hetim bashkëpunëtorëve në trafik



TIRANË - Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dy të arrestuarit e operacionit “Hasta la vista”, të akuzuar për trafikimin e një sasie prej 560 gram droge e llojit kokainë, janë fokusuar tek zbulimi i bashkëpunëtorëve të tyre në këtë veprimtari ilegale. Burime nga kjo prokurori pohuan të martën se, hetuesit kanë ngritur dyshime se, në këtë trafik janë përfshirë disa persona për të cilët po punohet për identifikimin e tyre. Hetimet për këtë çështje morën shkas nga arrestimi katër ditë më parë i shtetasve; Eglant Muka dhe Eduart Smajli, 41 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për trafikim të lëndëve narkotike në Itali. Këta persona u kapën në kushtet e flagrancës duke trafikuar një sasi prej 560 gram lëndë narkotike, e llojit Kokainë. Sipas të dhënave hetimore, lënda narkotike, e sekuestruar me cilësinë e provës materiale nga forcat e policisë së shtetit, kishte mbërritur në Tiranë përmes një dërgese postare nga Argjentina
Trafiku
Një mënyrë tejet e veçantë e trafikut të lëndëve narkotike u konstatua dy ditë më parë nga agjentët Antidrogë. Mbrëmjen e së premtes Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka realizuar një operacion spektakolar antidrogë, rezultat i të cilit është vënia në pranga e dy personave; Eglant Muka e Eduart Smajli dhe sekuestrimi i 560 gramëve kokainë. Dyshohet se të sipërpërmendurit e kanë porositur lëndën narkotike në Argjentinë. Ajo që e bën të veçantë trafikun është mënyra se si lënda narkotike hynte në Shqipëri thjesht nëpërmjet postës si pako e zakonshme familjare. Lënda narkotike është konstatuar në transitin e mallrave postare në Gjermani, por me një marrëveshje me uniformat blu të Tiranës, gjermanët e kanë lënë “të vazhdojë rrugën” e saj deri në vendmbërritje, që në rastin konkret ishte Tirana. Këtu zë fill operacioni antidrogë, i cili është pagëzuar me emrin “Hasta la vista”, që në shqip përkthehet “mirupafshim”.
Operacioni
Burime zyrtare të Policisë së Shtetit bënë me dije se dy ditë më parë, rreth orës 23:30, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, Policinë Gjermane dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda u finalizua operacioni i koduar “Hasta la vista” për arrestimin e Eglant Mukës, 39 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, i padënuar më parë, dhe Eduart Smajlit, 41 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, me arsim 8 klasë, i dënuar më parë për trafikim të lëndëve narkotike në Itali. Prangosja e tyre u bë pasi dyshohen se kanë konsumuar elemente të e veprës penale “trafikim i lëndëve narkotike”. Nga hetimet paraprake, të kryera me metoda speciale, Muka dhe Smajli janë arrestuar në flagrancë duke trafikuar sasinë prej 560 gramësh lëndë narkotike e llojit kokainë, e ndarë dhe paketuar në 4 pako. Lënda narkotike është nisur në rrugë postare nga Argjentina me destinacion Tiranën. Dy shtetasit e mësipërm kanë tërhequr pakon, brenda së cilës ishte fshehur lënda narkotike, pa e ditur se pas porte i prisnin dhe 13 agjentët e Antidrogës, të cilët ishin maskuar për të mos rënë në sy si punonjës të shërbimit postar. Me pakon në dorë dy personat janë futur në makinën e policisë dhe janë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Nga kontrolli që u bë në pakon e ambalazhuar të u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasia prej 560 gramësh lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokaine, një mjet tip “Mercedes Benz”, me targa amerikane dhe dy aparate telefoni celular. Grupi hetimor vazhdon punën për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë trafik, pasi mendohet se në rastin konkret kemi të bëjmë me një rrjet të mirorganizuar të trafikut të lëndëve narkotike.

Të burgosurit e Peqinit festojnë Bajramin

PEQIN- Të burgosurit e Peqinit, midis tyre edhe anëtarë të bandës së Elbasanit si Tan Kateshi e të tjerë, luten për falje për “Fiter Bajram” në Xhaminë e burgut të sigurisë së lartë. Falja e madhe është mbajtur nga myftiu Behaudin Gashi, ku duket se interesimi i të dënuarve të besimit mysliman që vuajnë dënimin nè këtë burg për të marrë pjesë në faljen e Bajramit të Madh, ka qenë mjaft i lartë. Të paktën 200 të dënuar, shumica prej të cilëve të dënuar për krime të rënda. Kanë ndjekur për rreth dy orë në sheshin para Xhamisë së burgut, ligjëratën e mbajtur nga myftiu Behaudin Gashi, ku mësohet se disa prej tyre kanë mbajtur edhe agjërim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Të dënuarit me burgim të përjetshëm si, Taulant Balliu dhe Dritan Kateshi, duke përshëndetur gjatë kësaj ceremonie kanë lëshuar mesazhe për paqen, harmoninë, solidaritetin, mirësinë, dashurinë, tolerancën.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›