Pranga trajnerit, shqiptar kërkoi të blinte portierin për bastet
MALTË - Një trajner shqiptar është arrestuar nën akuzën e tentativës për korrupsion gjatë një ndeshjeje të kupës UEFA. Është pikërisht trajneri Ilir Pelinku, i cili është arrestuar së bashku me arbitrin e UEFA nga Malta Joe Attard. Sipas akuzës, që të dy janë përpjekur të blejnë portierin e skuadrës Malteze Marsaxlokk FC gjatë ndeshjes kundër ekipit Slaven Belupo të Kroacisë muajin e kaluar. Ndeshja përfundoi me rezultatin 4 me 0 në favor të Kroatëve. Ilir Pelinku i cili punon për një ekip Maltez si trajner është përpjekur t’i japë para portierit të ekipit Marsaxlokk FC me qëllim që të lejonte një fitore të lehtë në favor të bastexhinjëve. Ky rast është denoncuar menjëherë përpara nisjes së ndeshjes nga portieri Maltez por hetimet e kryera nga Federata Malteze e futbollit kanë mbetur sekret. Kjo çështje është paraqitur edhe përpara zyrtarëve të UEFA-s në Gjenevë, të cilët si masë të parë kanë pezulluar arbitrin Atard.
Ky i fundit është bërë i njohur për publikun shqiptar kur gjykoi ndeshjen e vlefshme për Europianin 2008 mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Kjo ndeshje u luajt në Shkodër me 24 mars 2007 dhe arbitri maltez përfundoi nën akuzë për disa vendime të çuditshme të tij në fushë.
1 Tetor 2008