E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci” i heshtur veterinar



Dr. Stavri Mone

Informaliteti i veprimtarisë në shërbimin dhe inspektoratin veterinar të vendit është treguesi me sinjifikativ i nivelit shumë të ulët të përkujdesjes për mbrojtjen e shëndetit publik. Kafshët dhe shpendët si dhe produktet dhe nënproduktet ushqimore me origjinë shtazore të destinuara për konsum publik, shpeshherë bëhen shkaqe primare për shpërthimin e katastrofave humanitare. A nuk përbën ky një Gërdec të heshtur?. Le të jemi më konkret. Veprues aktiv të këtij Gërdeci janë shumë, por përmendim si të tillë; plasjen, brucelozën, turbekulozin, leishmaniozën, ekinokokozën, salmonelozën, listeriozën dhe infeksione të tjera zoonozik.
Kupola e veterinarisë shqiptare në vend të merret më këto infeksione e parazitoza, merren me “gripin e shpendëve” ose “donkishotizmin” e shekullit të XXI-të. Për shkak të etiologjisë shumë diversive, ky infeksion nuk mund të luftohet. Rezultatet e pritshme janë imagjinare. Nëse shuma e majme e vënë në dispozicion të luftës me “mullinjtë e erës” do të vihej në dispozicion të luftimit të agjentëve veprues të Gërdecit të heshtur, atëherë kërcënimi prej tij do të minimizohej. Ky është realiteti. Le të trajtojmë disa nga infeksionet dhe parazitët, rreziqet që na kanosen dhe mundësitë efektive për t’u mbrojtur.
Plasja: Shkaktari i këtij infeksioni “Bacillus antracis” nga kontakti me oksigjenin e ajrit shndërrohet në spore dhe ruan aftësitë jetësore e patogene për me shumë se 20 vjet ( kohë e eksperimentuar). Amullitë në therjen e bagëtive të destinuara për konsum publik, shkeljet flagrante të ligjit, mungesat e theksuara në kontrollin pas therjes e gjatë therjes, si dhe koha e nxehtë, janë faktorët predispozues për shpërthimin e kësaj sëmundjeje. Në vitet 80 –të sëmundja e plasjes u vu plotësisht nën kontroll. Situata epizootilogjike dhe ajo epidemiologjike ishte e krahasueshme me ato të vendeve të përparuara. Se si duhet të mbrohemi nga rreziku i këtij infeksioni janë vënë në dijeni ish- ministrat e bujqësisë dhe ai aktual.
Bruceloza në gjedhë e melitenca e të imtave; Kanë qenë dy infeksione mjaft frekuente në vendin tonë. Për luftimin e tyre u organizuan struktura të veçanta në qendër dhe në bazë dhe që u udhëhoqën me kompetencë shkencore nga i ndjeri Dr. Ali Kuka. Puna kërkimore - shkencore dhe këmbëngulja në vazhdimësi për zbulimin dhe eliminimin e “krerëve pozitivë’ bëri të mundur që në vitet 80-të Shqipëria të shpallej vend praktikisht i pastër nga këto infeksione. Po sot?. Gjendja është alarmante dhe askush nuk e vë ujin në zjarr për të luftuar këto infeksione me pasoja shumë të rënda në njerëz. Mos vallë broceloza dhe melitenca nuk japin premise për veprim të Gërdecit të heshtur!. Se si duhet luftuar dhe eliminuar bruceloza dihet, por ato që duhet t’i luftojnë janë në ethet e përfitimeve materiale!.
Turbekulozi në gjedhë ka qenë një infeksion mjaft frekuent veçanërisht në zonën verilindore. Pas vënies nën kontroll të plotë të këtij infeksioni nëpërmjet realizimit konsekuent e të kontrolluar me komision të provave alergo- serologjike, sot ai aktualisht ka pësuar shtrirje të gjerë në gjedhë e në njerëz. A përbën turbekulozi një Gërdec të heshtur që e “bluan” njeriun nga brenda? Edhe për këtë infeksion mund dhe duhet të minimizohen rreziqet që na kanosen.
Leishmanioza është një parazitozë e pranishme jo vetëm në qentë e rrugës (vrojtim klinik) dhe në qentë me pronar (konstatim serologjik), por dhe në njerëz (prononcim mediatik i të ndjerit Prof. Dr Kristo Pano). Nëse kupola e veterinarisë shqiptare nuk do të qëndronte e mbyllur në rrethin e përfitimit personal, atëherë qentë dhe njerëzit do të riskonin vetëm 5 për qind për t’u prekur. Përdorimi i kollareve “Scalibor” për qentë me pronar dhe trajtimi bashkëkohor i qenve të rrugës, përbëjnë masat efikase të të mbrojtjes nga kjo parazitozë. Mos vallë leishmanioza nuk përbën një Gërdec të heshtur?
Ekinokokoza është një parazitozë që shfaqet te njerëzit me formën hepatike dhe pulmonare. Ajo është tregues i nivelit të zhvillimit të shoqërisë është firma dhe vula e turpit e inspektoriatit veterinar, është shkelja flagrante e Nenit 51 të ligjit 9308 dt 04/11/04 “Për Shërbimin dhe Inspektoratin Veterinar”. Nëse do të zbatohej ligji dhe bagëtitë e destinuara për konsum publik do të thereshin në thertore, atëherë do të minimizohej incidenca e kësaj parazitoze. A përbën kjo një Gërdec të heshtur?
Salmonelozat ndeshën shpesh vepruese në njerëz me dukurinë klinike të helmimeve masive ushqimore. Mangësitë higjeno - sanitare të prodhimit, ambalazhimit, ruajtjes, tregtimit dhe kontrollit laboratorik të produkteve e nënprodukteve ushqimore me origjinë shtazore të destinuara për konsum publik, janë shkaqe të Gërdecit të heshtur që na helmon herë pas here. Komenti është i tepërt.
Listerioza është një infeksion tepër i rrezikshëm që na kërcënon. Në vitet 80 ajo u konstatua edhe në vendin tonë. Studimet aktuale tregojnë se në karkasat dhe mjediset e punës të 5 fabrikave të përpunimit të mishit, shkaktari i saj “Listeria monocytogenes” është e pranishme. Ky fakt duhet të ngrejë në këmbë e në alarm total gjithë shërbimin dhe inspektoratin veterinar të vendit, por gjumi dhe rehatia i pengon. Mos vallë e tmerrshmja listeriozë është zhdukur? Vendet e pellgut të Mesdheut janë rezervuar natyral i këtij infeksioni, Shqipëria tashmë gjeografikisht na paska bërë transferim. Si është e mundur që në treg të qarkullojnë vasketa plastike me tru bagëtish të imta brenda e me origjinë nga Barcelona? Mos vallë edhe Spanja paska realizuar transfertë gjeografike?
Listerioza paraqet rrezik të madh për njerëzit, prej saj preket sistemi nervor qendror dhe prognoza është shumë e dyshimtë. Diagnoza vendoset nga analiza bakterologjike e lëngut cerebro-spinal. A përbën listerioza një Gërdec të heshtur?
Për sa më lart zbatimi i ligjit na mbron, por për fatin e keq ai shkelet në mënyrë flagrante. Të debatojmë profesionalisht, ndryshe ky do të jetë një kërcënim i madh për shoqërinë.

1 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›