E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga në Tepelenë, nisin hetimet për origjinën

Një ditë pas bllokimit në Tepelenë të 600 kilogramë bimë narkotike e llojit marihuanë, grupi hetimor  i ngritur në Policinë e Shtetit ka mundur të zbardhë origjinën dhe destinacionin e drogës. Burime nga policia bënë të ditur se kjo sasi droge mendohet se kishte për destinacion tregtimin e saj jashtë vendit. Nga hetimet paraprake, rezulton se  marihuana ishte marrë në qytetin e Delvinës dhe do të trafikohej jashtë shtetit. Kjo çështje do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila mësohet se ka administruar aktet procedurale për zbardhjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe personave të tjerë që mendohet se janë përfshirë në të. Rreth 600 kilogramë marihuanë u gjet e fshehur në një kamion, që drejtohej nga  shtetasi Besnik Bronkeri, 35 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë. Gjatë operacionit të zhvilluar në aksin rrugor Tepelenë- Fier,  35 vjeçari Bronkeri nuk  i është bindur  urdhrit të policisë,  kur iu kërkua të hapte karrocerinë e kamionit. Madje, ai tentoi të rrëmbente  me forcë pistoletën e njërit prej punonjësve të patrullës së policisë, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Por, policia e neutralizoi duke e plagosur në këmbë. Pas kësaj,  35 vjeçari Bronkeri është transportuar në Spitalin e Tiranës, ku po kurohet për plagën e marrë në këmbë. Gjëndja e tij shëndetësore paraprakisht nuk paraqet rrezik për jetën. Ndërkohë, ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë për trafik të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›