Droga në burg, nga dritaret e Gjykatës së Tiranës
Pakot e drogës që janë futur apo kanë tentuar të futen në ambientet e paraburgimit 313-të dyshohet të jenë hedhur nga Gjykata e Tiranës. Një fakt i tillë është konfirmuar nga burime zyrtare pranë burgut 313-të, të cilat theksojnë për gazetën “standard” se për ta është mjaft shqetësuese që dritaret e korridoreve apo të tualeteve të kësaj gjykate bien në oborrin e paraburgimit. Nga hetimet e kryera apo dhe nga rastet e kapura, rezulton se mjaft të afërm të të pandehurve që gjenden në këtë burg, kanë shfrytëzuar Gjykatën e Tiranës, oborrin apo dhe dritaret e korridoreve apo tualeteve të kësaj godine, për të futur në ambientet e 313-ës droga të ndryshme apo dhe celularë.
Kjo është një nga skemat e përdoruara dhe që ka rezultuar efikase për të pandehurit apo dhe vetë familjarët e tyre. Kështu, sipas burimeve zyrtare, tre dritare tualetesh dhe korridoresh të kësaj gjykate bien në oborrin ku dalin për të luajtur futboll apo dhe për të qëndruar në ajrim minorenë dhe disa të pandehur të rritur. Familjarët e tyre, në pamundësi për ta futur drogën në ushqime apo dhe mënyrat e tjera të përdorura, kanë hyrë në ambientet e gjykatës dhe nga aty kanë përdorur dritaret e tualeteve që bien direkt në oborrin e burgut dhe ua kanë hedhur të afërmve në paraburgim.
Por, sipas burimeve, si për drogën, ashtu dhe për telefonin, kjo nuk është skema e vetme e përdorur. Një skemë e dytë është ajo e shitjes së telefonave brenda në paraburgim nga vetë gardianët apo punonjësit e Policisë së Burgut. Vetë policët, kundrejt një shume të konsiderueshme, u ofrojnë telefona të pandehurve, duke u bërë burimi kryesor i shitjes së celularëve në ambientet e brendshme të paraburgimit. Një situatë e tillë, e dyshuar prej kohësh nga krerët e burgut, ka detyruar këta të fundit t’i drejtohen për ndihmë strukturave të SHKB-së në Drejtorinë e Burgjeve për të nisur hetimet. Madje, kanë ndërmarrë edhe një masë ekstreme të shndërruar dje në urdhër: Nëse do kapen më celularë në burgje, do nisin hetimet për policët që shërbejnë në këta sektorë, madje edhe duke i shkarkuar ata nga detyra.
Familjarët e të pandehurve përdorin dritaret e tualeteve të Gjykatës së Tiranës, për të hedhur drogën apo celularët në momentin kur ata ndodhen duke luajtur apo për ajrim në oborrin e paraburgimi
Familjarët e të pandehurve vetëm paguajnë për celularët, pasi ata shiten nga vetë punonjës të policisë apo gardianë të burgjeve, ndaj dhe nuk rrezikojnë aspak për t’i futur përmes ushqimeve ato
Nëse do kapen më celularë në burgje, do nisin hetimet për policët që shërbejnë në këta sektorë, madje edhe duke i shkarkuar ata nga detyra