OSSH: Nuk jemi përgjegjës për ndërprerjen e dritave
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka reaguar duke u shprehur se nuk mban ai përgjegjësi për ndërprerjen e energjisë gjatë ndeshjes Gramozi-Reali i Madridit.
Përgjigjja e OSSH-së ka ardhur pas akuzave, që e cilësoni fajtore për këtë skandal të ndodhur. “Ne shprehim keqardhje për situatën e vështirë që ndodhi në stadiumin Qemal Stafa. Megjithatë OSSH nuk mban përgjegjësi për problemin e shkaktuar, pasi OSSH nuk ka kontroll mbi shpërndarjen e brendshme të tensionit të lartë brenda stadiumit “Qemal Stafa”, qark i cili bën të mundur furnizimin e projektorëve ndriçues të stadiumit”, - thuhet në deklaratën e kompanisë. Ajo pretendon se “më 20 janar, OSSH me iniciativën e saj i ka dërguar një letër administratës së stadiumit, e cila është e protokolluar nga administrata e stadiumit, ku shpjegohet se nëse do të kërkohej sigurimi i një gjeneratori nga OSSH-ja, duhej nisur një kërkesë nga menaxheret e stadiumit dhe ky shërbim mund të plotësohej në këmbim të një pagese”. “Nga menaxhimi i stadiumit ne nuk morëm asnjë përgjigje për sinjalizimet tona”, - sqarohet në njoftimin për shtyp.