E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga në makinë, hedh thesin në rrugë që të mos kapej nga policia



Shkodër – Forcat e policisë së Shkodrës kanë mundur të kapin 27-vjeçarin Përparim Rrgalla, banues në fshatin Grudë e Re, pasi teksa po udhëtonte me automjetin e tij tip Ford, me targa angleze RI 35 AKW, i është shmangur kontrollit të tyre. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se Rrgalla posedonte lëndë narkotike, forcat e policisë kanë tentuar ta ndalojnë automjetin e tij për kontroll. Por ai është larguar me shpejtësi nga postblloku i organizuar nga shërbimet policore, ka hedhur nga makina një thes prej lini, mbështjellë me qese plastike, i cili peshonte 6 kg e 750 gramë, mbushur me material bimor që dyshohet të jetë lëndë narkotike e llojit Cannabis sattiva.

Ministri Oketa pret shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Çekisë

Tiranë - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka pritur në takim shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Çeke, gjeneral lejtënant Vlastimil Picek, i cili prej dy ditësh po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. Në veçanti, Oketa ka përcjellë falënderime për qeverinë çeke dhe Forcat e Armatosura, për mbështetjen e dhënë për integrimin e Shqipërisë në NATO. Ministri Oketa, gjatë takimit ka theksuar: “Me Forcat e Armatosura të Çekisë, Forcat e Armatosura shqiptare kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një bashkëpunim shumë të mirë, vlen të përmendet këtu misionin mjekësor në Afganistan. Mbështetja çeke për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ka qenë në shumë fusha dhe ky anëtarësim është një arritje madhore jo vetëm e shqiptarëve, por edhe në një kontekst më të gjerë. Hyrja e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë është një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan dhe Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në rajon. Besoj se mbështetja çeke do të vijojë edhe për hapat tona drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”. Lidhur me bashkëpunimin ushtarak për vitin 2009, ministri Oketa dhe gjenerali Picek u shprehën për forcimin e mëtejshëm të tij, si një faktor i rëndësishëm që lidhet jo vetëm me nevojat mes dy vendeve tona, por duke i shërbyer kështu edhe sigurisë e bashkëpunimit në rajon e më gjerë.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›