E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk deklaron paratë, shkon për ndjekje penale biznesmeni



Vlorë - Një 43-vjeçar po ndiqet në gjendje të lirë nga Prokuroria e Vlorës, i akuzuar për mosdeklarim të shumës së lekëve dhe sendeve me vlerë në pikën e kalimit kufitar. Policia tha se ndaj Kadri Trokës, 43 vjeç, me banim në qytetin e Fierit, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të mosdeklarimit të shumës së 35 mijë eurove që kishte me vete si dhe të sendeve me vlerë në kohën që do të kalonte pikën e kalimit kufitar të Portit të Vlorës. Policia vendore deklaroi se nga kontrolli që iu bë këtij shtetasi në kohën që do të largohej nga territori shqiptar për në Itali, i janë gjetur me vete një shumë prej 35 mijë eurosh. Sipas policisë, të gjithë shtetasit, kur dalin nga territori shqiptar, duhet të deklarojnë shumën e parave që disponojnë si dhe të sendeve me vlerë që kanë me vete, në të kundërt deklarohet shkelje e ligjit dhe në bazë të tij, gjithçka e padeklaruar sekuestrohet dhe personi jepet për ndjekje penale.

Mallakastër, në pranga dy vjedhës automjetesh

Mallakastër - Robert Lamçe dhe Ledian Gërbi janë vënë në pranga nga policia mallakastriote pasi janë kapur në kushtet e flagrancës duke vjedhur një automjet tip “Volksëagen”.
Autorët, pasi janë marrë në pyetje prej oficerit të Policisë Gjyqësore kanë pranuar se janë autorë të vjedhjes jo vetëm të automjetit në fjalë që po bënin gati për të vjedhur, por kanë vjedhur dy automjete të tjera një Benz-Mercedes dhe një tjetër automjet tip Volkswagen golf”. Sipas burimeve zyrtare të policisë mallakastriote, mësohet se ka qenë një telefonatë anonime e bërë në orën tre të mëngjesit ku një shtetas ka parë se dy persona po mundoheshin që të hapnin derën e një automjeti në lagjen “8 Shkurti” të qytetit Ballsh. Menjëherë policia ka nisur uniforma blu, por vjedhësit, të cilët po përgatisnin vjedhjen e automjetit, i kanë pikasur dhe kanë tentuar që të largoheshin. Ata kanë mundur që të ikin vetëm pak metra dhe janë kapur prej policëve. Fillimisht ka rënë në pranga 23-vjeçari Ledjon Gërbi. Ai, pasi është marrë në pyetje, ka treguar edhe bashkëpunëtorin e vet, Robert Lamçen, 27 vjeç, i cili ka qenë një herë më parë i dënuar. Që të dy të rinjtë janë banorë të qytetit Ballsh.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›