E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Duro: “Kemi paraqitur vendim në qeveri”



Reagon ministri i Punës, Anastas Duro, pas grevës treditore që kanë nisur personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Ministri Duro bën të ditur se është dorëzuar një projektvendim në qeveri, që parashikon dhe zgjidhjen e kërkesave ekonomike të këtyre personave. Sipas tij, brenda javës që vjen do të ketë një zgjidhje konkrete. “Para disa ditësh na erdhi dhe akti i ekspertimit të ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në bazë të saj ne kemi paraqitur në qeveri një vendim. Kjo ishte para fillimit të grevës. Sigurisht që ka një dritë jeshile për këta persona, që është në shqyrtim, dhe ne shpresojmë se do të realizohet”, - shpjegon Duro. Ndërsa përsa i përket masës së rritjes së ndihmës që ata përfitojnë ministri i Punës bën të ditur ajo do të varet nga mundësitë që ka Ministria e Financave dhe buxheti.

Ekstradimet, Alibeaj, vizitë pune në Itali
Tiranë - Me ftesë të ministrit italian të Drejtësisë, Agelino Alfano, ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj do të niset sot për një vizitë pune drejt Italisë. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë pohuan se Alibeaj pritet të marrë mbështetje për reformën në sistemin gjyqësor. Sipas këtyre burimeve, qëllimi i kësaj vizite është intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën e drejtësisë si dhe shprehja e angazhimit dypalësh për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, që vepron në të dyja anët e kufirit. Në këtë vizitë pritet që ministri i Drejtësisë, z. Alibeaj, të takohet edhe me ministrin e Brendshëm italian, z. Roberto Maroni dhe kryetaren e Komisionit të Drejtësisë së Dhomës së Deputetëve, zonjën Giulia Bongiorno. Mësohet se disa nga çështjet më të rëndësishme që do të diskutohen në takimet zyrtare në Itali janë bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet organeve të Drejtësisë të dy vendeve tona mbi mbarëvajtjen e procedurave të ekstradimit të subjekteve kriminale në kërkim. Në takimin e fundit që një delegacion i lartë i qeverisë italiane i kryesuar nga Mantovano, zëvendësministër i Brendshëm i Italisë, kreu me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh vullneti për ratifikimin në një kohë të shpejtë nga ana e Parlamentit italian të Marrëveshjes Bilaterale të Ekstradimit, të nënshkruar tashmë mes dy vendeve tona dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›