Tritol në një bllok pallatesh në Sarandë
Sarandë - Një shpërthim tritoli ka tronditur dhe terrorizuar dje lagjen “Kodër” në Sarandë. Rreth 100 gramë eksploziv ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, duke shkaktuar një gropë rreth 15 cm dhe dëme të konsiderueshme në disa apartamente.
Ngjarja
Qyteti i Sarandës është tronditur paraditen e sotme nga një shpërthim tritoli. Tritoli ishte vendosur në një bllok pallatesh në lagjen “Kodër” të qytetit. Sipas burimeve nga policia, sasia e eksplozivit, mendohet të jetë rreth 100 gram. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, duke shkaktuar një gropë të thellë rreth 15 cm dhe dëme të konsiderueshme në disa apartamente të pallateve. Ekspertë të policisë së Sarandës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të nisur menjëherë hetimet, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit dhe shkaku i vendosjes së eksplozivit. Pista më e mundshme e hetimit mbetet hakmarrja ndaj pronarëve të disa bizneseve që banojnë në këtë bllok pallatesh.
Ky rast e çon në shtatë numrin e shpërthimeve në qytetin e Sarandës, në harkun kohor të shtatë muajve të fundit.
Rastet
Në fillim të muajit shkurt policia e Lezhës ka arrestuar dy të dyshuar për vendosjen e tre kg tritol. Ngjarja ndodhi në Shëngjin, ku lënda eksplozive e llojit tritol u gjet në një çantë në një lokal dhe pranë saj edhe një celular i komanduar. Në pranga përfundoi 33-vjeçari nga Lezha Altin Noga dhe një 16-vjeçar me iniciale E. G. Sipas policisë së Lezhës, dy të arrestuarit kishin për qëllim të hidhnin në erë lokalin e Eduart Cinit gjatë kohës që ky i fundit administronte biznesin e tij në këtë lokal. Shkaqet e ngjarjes u cilësuan për motive të dobëta nga policia e Shkodrës. Efektivë nga Lezha dhe Tirana u bashkuan në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur çaktivizimin e tritolit me telekomandë.
Banorët e Vermoshit gjejnë në shpellë një skelet njeriu
Shkodër - Një skelet njeriu është gjetur në fshatin Selcë të komunës Vermosh, në veri të Shkodrës. Skeleti u gjet nga banorë të zonës në shpellën e Cetinës, pas shembjes së kësaj të fundit nga lëkundjet tektonike. Skeleti ka dalë në sipërfaqe të shpellës dhe banorët kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila dje e ka dërguar për ekzaminim në morgun e spitalit të Shkodrës. Burime nga policia e Malësisë së Madhe bënë të ditur se skeleti është gjetur në gjendje mjaft të vështirë për t’u identifikuar. Mendohet se personi ka rreth 20 vite që ka vdekur, ndërsa në kafkën e skeletit është gjetur një vrimë, e cila për momentin është e vështirë të identifikohet si goditje me armë ndaj personit, apo është shkaktuar me kalimin e viteve si rezultat i dekompozimit. Pista kryesore e policisë po përqendrohet në listimin e personave nga qarku i Shkodrës, që mund të kenë humbur në periudhën që dyshohet se ka vdekur personi të cilit i përket skeleti. Është ende herët për të nxjerrë konkluzione, ndërsa duhet thënë se fshati Selcë është në kufi me Malin e zi dhe mund të dyshohet edhe për një person që ka tentuar kalimin e kufirit rreth viteve ‘80-të.
Grabiste para, pranga “Mashtruesit të pleqve”
Durrës - Arrestohet grabitësi i të moshuarve në qytetin e Durrësit. Ferit Saliu, 49 vjeç, hiqej si biznesmen apo si sekser banesash dhe me anë të mashtrimeve realizonte vjedhjen e qytetarëve. Viktimat e tij ishin kryesisht të moshuarit. Polica e identifikoi Ferit Saliun si autor të ngjarjeve të fundit të grabitjes së banesave në Durrës, me anë të gjurmëve të gishtave që ai kishte lënë në disa banesa. Denoncimi i fundit në polici në drejtim të 49-vjeçarit ka ardhur nga një 77-vjeçar, të cilit, në datën 1 mars Saliu i ishte paraqitur në banesë si ndërtues pallatesh, duke i bërë ofertë për blerjen e banesës së tij. Gjatë kësaj kohe 77-vjeçarit H. S. i kishin humbur në shtëpi rreth 400 000 lekë. Pas këtij denoncimi dhe gjetjes së gjurmëve të gishtave në disa banesa të grabitura në Durrës, policia e arrestoi në Tiranë me nofkën “Mashtrues i pleqve” në momentin kur po dilte nga banesa e tij në Rrugën e Dibrës.
5 Mars 2009