Pronarët e tokave te ish-Vilat Qeveritare, protestë te Bashkia Vlorë
Vlorë - Disa banorë të zonës së Ujit të Ftohtë e konkretisht në zonën e ish-vilave qeveritare kanë protestuar dje për rreth 2 orë para dyerve të Bashkisë Vlorë. Protestuesit kanë kërkuar të drejtën e tyre për tokën, e cila theksojnë se u takon me ligj si dhe janë sipas tyre, të vetmit pronarë autoktonë që dhe i disponojnë të gjitha dokumentacionet e nevojshme që vërtetojnë se prona është e tyre. Një përfaqësi e tyre dje ka bërë një takim të shkurtër me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Ata i kanë kërkuar Gjikës, mosaprovimin dhe zbardhjen e lejes së ndërtimit për murin rrethues që rrethon pronën e tyre, që shteti do t’ua marrë me dhunë dhe kanë kërkuar bllokimin e vendimit, deri në përfundim të gjyqit të cilët banorët kanë me vilat qeveritare. Banorët kanë akuzuar drejtoreshën e vilave qeveritare Vlorë Barie Isufi, për vjedhje të hapur të pronës së tyre, të cilën thanë se “ne e kemi të trashëguar brez pas brezi”. Tubuesit siguruan se “ne do t’i shkojmë deri në fund çështjes sonë, sepse e kemi tokën tonë e do ta mbrojmë me gjak. I bëjmë apel shtetit, kryeministrit dhe strukturave përkatëse që të na japin zgjidhje, dhe jo të na lënë kështu e të na grabisin pronën”, - vijuan protestuesit.
5 Mars 2009