Prençi e Veljoviç, bashkëpunim për menaxhimin e kufijve
TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, priti dje në një takim homologun e tij malazez, Veselin Veljoviç, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin mes policive të dy vendeve, rritjen akoma më tej të bashkëpunimit si edhe menaxhimin e kufijve. Duke marrë shkas nga operacioni i fundit mes Policisë shqiptare e asaj malazeze, që çoi në prangosjen e një rrjeti kriminal të trafikut të drogës, Prençi e Veljoviç deklaruan se këto bashkëpunime të frytshme do të vazhdojnë dhe në të ardhmen. Gjithashtu Prençi deklaroi se bashkëpunimi reciprok dhe eficent midis policive të vendeve të rajonit është mesazh i qartë integrues drejt BE-së dhe Aleancës Euroatlantike”. Ndërkaq, kreu i Policisë së Malit të Zi, Veljoviç, në fjalën e tij tha se operacioni më i fundit ishte një provë që tregoi dhe njëherë vullnetin e përbashkët me palën shqiptare për të luftuar krimin e organizuar, trafikun e drogës e atë klandestin.
5 Mars 2009