E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, pranga rrjetit shqiptaro-maroken

ITALI -Sërish autoritetet policore italiane godasin rrjete ndërkombëtare të drogës me të rekrutuar shqiptarë, por që këtë herë kishin lidhje të forta me organizatën mafioze “Sacra Corona Unita” dhe trafikantët marokenë.
Operacioni i karabinierëve është koordinuar nga Prokuroria në Trento, duke goditur një organizatë të rrezikshme kriminale që përbëhej nga shqiptarë, marokenë dhe persona nga shtete të tjera të Ballkanit, me celula nëpër vende të ndryshe të Europës dhe Marokut. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, e cila iu referohet burimeve policore vendase, janë gjithsej 57 urdhra arresti që janë lëshuar dhe personat e implikuar janë rezidentë në Foggia, Milano e Trento. Trembëdhjetë persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa urdhër-arreste ndërkombëtare për të njëjtin rrjet janë lëshuar dhe në Francë, Spanjë e Belgjikë.
Një rrjet ndërkombëtar droge shqiptaro-maroken i zbuluara nga ROS dhe ndërtuar nga marokenë e shqiptarë dhe që operonte në trafikimin e sasive të mëdha hashashi nga Maroku, kokainë nga Holanda dhe heroinë nga Ballkani, ndërsa në kryqëzimin e rrugëve të trafikut ishte Italia. Falë lidhjeve të fuqishme me Sacra Corona Unita-n brindineze, distributorët e drogës ishin “maskuar” mirë në zona të ndryshme të Italisë dhe veçanërisht në Lombardi. Organizata kishte një rrjet apartamentesh ku maskohej droga dhe strehoheshin trafikantët e huaj. Arrestimet u ekzekutuan në provincat e Trentos, Savonës, Milanos, Pavias, Bergamos, Xhenovës, Aostës, Ternit dhe Foxhias, kurse katër persona janë arrestuar në Spanjë, Francë dhe Belgjikë. Janë sekuestruar 7 kuintalë hashash, 15 kilogramë heroinë dhe monstra të shumta kokaine.
Operacioni i ROS e ka zanafillën në tetorin e vitit 2008, kur përfunduan në qeli 34 persona. Ndërsa në këtë fazë të parë të operacionit u përfol se rrjeti i drogës ishte lokal dhe nën “urdhrat” e Xhulio Andrizanos, eksponent i Sacra Corona Unita “brindiziane”, operacioni i djeshëm u zhvillua kryesisht në nivel ndërkombëtar në bashkëpunim me DCSA dhe Guardia Civil-en spanjolle. Sipas ANSA, rrjeti kishte lidhje të forta edhe me organizatën narko-trafikante “Magrebinja”, me “rrënjë” në Lombardi dhe nën “urdhrat” e kapos maroken Abderrahim Benkhadda. Bashkë me marokenin Rachid Zaouaq, kapo i një tjetër organizate droge, Benkhadda realizonte trafikimin e qindra kileve të hashashit nga Maroku, heroinën nga rruga ballkanike dhe kokainën nga Holanda. Droga shpërndahej në tregun e narkotikëve në zonat lombardeze, piemonteze, trentine, laciale dhe pulieze. Hetuesit kanë zbuluar trafikimin e ngarkesave 100 deri në 600 kile hashash apo kokainë nga Franca, duke përdorur kamionë apo vetura. Në 7 shkurt policia spanjolle sekuestroi në një veturë 75 kile hashash në Barcelonë, e cila ishte drejtuar për në Milano.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›