Ngërçi i dekreteve në Kushtetuese, Topi nuk tërhiqet
Mazhoranca pritet të bëjë hapin e tretë në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, pas rrëzimit të Vangjel Kostës dhe kërkesës që Presidenti të shtyjë emërimin e anëtarëve të rinj të institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit. Burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se qëllimi është lobimi pranë kreut të shtetit për emërimin e një anëtari të ri në Kushtetuese, i cili është këshilltar ligjor i një drejtuesi të rëndësishëm të shtetit. Qëllimi për të arritur kuotën shumicë në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që qeveria “Berisha” të mos ndiejë dhimbje koke siç ka ndodhur që nga vitit 2005. Pas rrëzimit të kandidaturës së Vangjel Kostës, ka pasur zhvillime të vrullshme në këtë kuadër, që solli edhe reagime politike. Tre ditë më parë, zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Edlira Abazi, në një deklaratë publike ka theksuar se nuk mund të emërohen menjëherë gjashtë gjyqtarë të këtij institucioni, pasi është shkelje e ligjit, sepse duhet në çdo tre vjet të rinovohet ½ e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Deklarata e Abazit është shpërndarë menjëherë në mënyrë të çuditshme nga zyra e shtypit e Parlamentit shqiptar. Sipas burimeve në Gjykatën Kushtetuese mësohet se Abazi është ndëshkuar pas kësaj deklarate duke u larguar nga puna. Konstitucionalistë të ndryshëm kanë bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për një rinovim normal, por për mbyllje të mandatit të anëtarëve të institucionit që interpreton Kushtetutën, ndaj rinovimi i tyre është një detyrim ligjor. Nga Presidenca mësohet se kreu i shtetit, Bamir Topi, së shpejti do të emërojë katër anëtarët e rinj të këtij institucioni për të mos e lënë vendin vakant. Por një deputet i Partisë Demokratike, përkatësisht, Enkelejd Alibeaj, ish-ministër i Drejtësisë, deklaroi dy ditë më parë për “Shqip” se “do të duhej që Presidenti të mos procedonte me propozimin përkatës për tre mandatet e deklaruara të mbaruara të fundit në radhë! Ky mekanizëm do të duhet të aplikohet pas tre vjetësh, pra në vitin 2013”. Por Gjykata Kushtetuese pret rinovimin e saj, pasi i ka mbaruar mandati trevjeçar edhe kreut të këtij institucioni, Vladimir Kristo. Procedura e zgjedhjes së kryetarit të ri shikohet e domosdoshme për mirëfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Por gjithçka duket se varet nga humori i politikës, që deri tani e ka lënë sakat këtë institucion.
#