Droga, vrasje në mes të Durrësit
DURRES/ OERD ULQINI
Pesë të shtëna pistolete i marrin jetën të riut durrsak Sajmir Balla. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, prapa pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” në orën 12:16, në sy të dhjetëra dëshmitarëve. Balla, 31 vjeç banues në Arapaj të Durrësit është goditur në gjoks nga një distancë fare e afërt nga të pesë plumbat e dalë nga pistoleta “model 54”, për shkaqe që dyshohen se kanë lidhje me drogën. Autorët janë identifikuar dhe kapur në kohë rekord, dy prej tyre të rinj e një tjetër vetëm 17 vjeç.
Vrasja
Ajo që ndodhi në mes të Durrësit solli panik tek të gjithë kalimtarët. Dëshmitarë në vendngjarje deklaruan se përpara se të dëgjoheshin plumbat, janë dëgjuar të shara mes të rinjve të implikuar në sherr. Më pas, tre të rinj kanë nisur të rrahin barbarisht Ballën, i cili teksa ishte i gjakosur në fytyrë dhe trup ka tentuar të gjejë shpëtim, duke u larguar drejt automjetit të tij. Pas kontrolleve të mëvonshme u vërtetua se edhe në automjetin e 31-vjeçarit Balla është gjetur e fshehur nën sedilje një armë zjarri. Megjithatë, askush nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjes nëse viktima tentoi të shkonte në makinën e tij për të marrë arratinë apo për t’iu kundërpërgjigjur tre agresorëve. Por kur ndodhej vetëm 1 metër larg makinës së tij Balla është goditur për vdekje me pistoletë. Njëri prej tre të rinjve, i identifikuar më vonë si 23-vjeçari Elis Tefa ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, duke e qëlluar rivalin e tij drejt e në gjoks. Policia shkencore e mbërritur në vendngjarje ka arritur të lokalizojë pesë gëzhoja pistolete të shpërndara mbi asfalt dhe trotuar. Në mes të rrugës ka qenë i dukshëm edhe pellgu i gjakut që la pas viktima, i cili nga plagët humbi jetën rrugës për në spital. Sipas burimeve policore, me të kryer ekzekutimin tre të rinjtë janë larguar në drejtime të ndryshme drejt rrugicave të vjetra të Durrësit. Në bazë të përshkrimeve të dëshmitarëve policia ka arritur të identifikojë autorët.
Arrestimet
Ndërsa në shumë udhëkryqe të Durrësit u ngritën postblloqe për kapjen e atentatorëve, një prej autorëve u vetëdorëzua në komisariatin e Laçit. Mësohet se Elis Tefa, i lindur në Burrel e banues në Durrës ishte nisur për t’u strehuar te daja i tij në Milot, por ky i fundit e ka bindur të dorëzohej. Sipas dëshmisë së parë mësohet se 23-vjeçari është shprehur se i kishte një borxh prej 50 mijë lekësh viktimës, por pas presionit e ka kryer krimin në gjaknxehtësi e sipër. Fillimisht ai ka dëshmuar se ndodhej i vetëm, por në bazë të së dhënave të mbledhura nga policia rezulton se, kanë qenë të paktën tre vetë ata që rrahën Ballën, njëri prej të cilëve ka shkaktuar më pas eliminimin e tij, duke shkrehur në gjaknxehtësi e sipër këmbëzën e pistoletës. Brenda një kohe rekord policia e Durrësit ka prangosur në bashkëpunim me policinë e Tiranës dhe dy atentatorët e tjerë të Saimir Ballës. Ata janë Orges Dervishi, 25 vjeç nga Shkozeti dhe 17-vjeçari me inicialet Xh.M., nga Durrësi. Sipas burimeve të brendshme nga policia e Durrësit personat e përfshirë në vrasje, ndonëse nuk ishin të dënuar më parë, sapo kishin filluar të mbikëqyreshin nga uniformat blu, pasi dyshohej se ata ishin pjesë e një bande narkotrafiku. Madje sipas ekspertëve të policisë kriminale, ata ishin përdorues droge, duke hedhur dyshimin se edhe vrasja mund të jetë kryer nën efektet e drogës. Ngjarjen e ka ndjekur në çdo sekondë të saj edhe kryepolici i Durrësit Ilia Nasi, i cili shprehet se në prangosjen e atentatorëve ka një meritë të veçantë edhe Prokuroria. Pista e parë e vrasjes mbetet ndonjë pazar i prishur droge mes atentatorëve dhe viktimës, ndonëse sipas policisë së Durrësit hetimi mund të sjellë edhe zhvillime të tjera.