Dy nxënëse rrezikuan trafikun
LUSHNJE - Policia e Lushnjës është vënë në alarm nga familjarët e dy vajzave të mitura, të cilat ishin zhdukur pasi kishin lënë mësimin në shkollën 9-vjeçare, ku ato edhe studionin. Vajzat me inicialet K.D dhe A.H., të moshës 14-vjeçare ishin larguar që të mërkurën e kaluar pa dhënë asnjë sinjal për destinacionin e tyre. Të alarmuar për ndonjë trafik të mundshëm, familjarët sinjalizuan policinë. Kjo e fundit u vu në lëvizje, duke siguruar më parë deponimet e nxënësve në dy shkollat 9-vjeçare, ku të miturat mësonin. Shokë të klasës së K.D., rrëfyen se prej disa ditësh ajo rrinte e vetmuar. Ajo ishte parë disa herë, duke folur në një telefon që e mbante të fshehtë. Madje, ata e kishin parë teksa shoqërohej me një djalë më të madh në moshë, për të cilin ajo u kishte thënë, se ishte një kushëri që vinte nga Elbasani. Pas të dhënave dhe hetimeve të kryera, policia arriti t’i gjejë të dyja vajzat në një banesë të braktisur në fshatin Kolonjë. Ata shoqëruan edhe djalin që ishte bashkë me to. Nxënëset deponuan se do të niseshin për në Greqi për një jetë më të mirë. Madje, ato do të niseshin ditën që policia zbuloi vendndodhjen e tyre. Për efekt hetimi, nuk bëhet i ditur emri i djalit, i cili dyshohet të jetë i lidhur me ndonjë rrjet të trafikut. m.r