E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogba – Messi 1:0

Mediet britanike kanë shpërthyer nga euforia, pas fitores së Chelseas ndaj Barcelonës (1:0) në ndeshjen e tyre të parë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ato, përveç taktikës efektive të menaxherit Roberto di Matteo, kanë veçuar Didier Drogban si heroin e londinezëve, duke e shpallur edhe fitues të duelit me Lionel Messin.

E kaloi pjesën më të gjatë të ndeshjes duke u mbrojtur, por në momentin e duhur e bëri goditjen e duhur, që në fund doli të jetë vendimtare në fitore. Chelsea mposhti Barcelonën 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Stamford Bridge të mërkurën mbrëma. Fitorja e gjigantit londinez ndaj kampionit në fuqi të Evropës është përcjellë me lëvdata në mediet britanike. Përveç triumfit ekipor, ato kanë veçuar golashënuesin Didier Drogba si heroin e Chelseas, duke e deklaruar fitues të duelit me yllin e Barcelonës, Lionel Messi.

Mos i quani të vjetër – Tabloidi The Sun mbante titullin “Salutes Blue, Sir”, duke treguar se “veteranët” e Chelseas kanë heshtur gjigantin katalan (përveç tyre edhe mbarë Evropën) falë një paraqitjeje jo aq të bukur për t’u parë, por perfekte në aspektin taktik, që e la të izoluar Messin, i cili nuk ishte në gjendje të zhvillojë lojën e tij të zakonshme me të cilën di të bëhet i pandalshëm për ekipet kundërshtare.

Chelsea,“gati perfekte” – Mirror Sport ka lavdëruar besimin e menaxherit të përkohshëm Roberti di Matteo ndaj atyre që i quajnë ‘garda e vjetër’, të përbërë nga futbollistët mbi 30 vjeç si Drogba, Frank Lampard, Ashley Cole, John Terry e të tjerë. “Paraqitje gati perfekte”, shtoi Telegraph Sport, që gjeti hapësirë për të publikuar edhe deklaratat e mesfushorit të Barcelonës, Andres Iniesta, sipas të cilit Chelsea “fitoi pa meritë”.

Messi u ‘spastrua’ nga Drogba – Duel në sulm. Ajo që ndodhi, edhe pse minimale, u mjaftoi medieve britanike që Didier Drogban ta shpallin fitues përballë Lionel Messit. Daily Express e veçoi Drogban si më meritorin në fitoren e Chelseas, kurse rezervoi notën 8 për secilin futbollist të londinezëve. The Times shtoi: “Drogba ngjalli frikë te Barcelona dhe i solli shpresë skuadrës së tij për kalim në finale”. The Guardian lavdëroi taktikën “e shëmtuar, por të dobishme” të Chelseas, edhe pse paralajmëroi se në ndeshjen e kthimit, Messi dhe shokët e tij mund të mos i humbin rastet që nuk i konkretizuan në Stamford Bridge. Por, deri të martën tabela thotë kështu: Drogba – Messi 1:0.

Kacafytje në hotel para ndeshjes – The Sun ka raportuar se Lionel Messi dhe Dani Alves janë përfshirë në një kacafytje në hotel pak para fillimit të takimit. Tifozi James McWatt, 19 vjeç, takoi dy yjet e gjigantit katalan në korridorin e hotelit dhe kërkoi nga Messi ta nënshkruajë një fanellë të Barcelonës, që e kishte blerë ai për këtë ndeshje. Por, derisa Messi e bëri atë, Alves filloi të bërtiste në drejtim të Jamesit dhe shokëve të tij. Një xhirim i bërë nga James me telefonin e tij tregon se futbollistët kacafyten me tifozët para se të intervenojë policia, që mori në pyetje tifozët e më pas kërkoi prej tyre të largohen nga hoteli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›