E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr masiv, arbitri ndërpret ndeshjen në Skrapar

Tre kartonë të kuq në harkun e pak minutave sollën edhe një sherr masiv mes lojtarëve të dy skuadrave në Skrapar, ku vendësit prisnin Adën e Velipojës. Arbitri ndërpreu ndeshjen. Skuadra vendëse luante për “jetë a vdekje” në fushën e vet, ndaj një Ade pa shumë pretendime, pasi e ka siguruar mesin e artë të tabelës. Në këtë këndvështrim, skraparllinjtë kërkonin me çdo kusht fitoren, ndaj edhe takimi ishte më shumë sesa i ndezur që para se të niste zyrtarisht. Por velipojakët bënë lojën e tyre dhe vetëm pas tetë minutash lojë kaluan në avantazh me anë të Selmanit. Nga aty nisi nervozizmi i Skraparit, lojtarët e të cilit gjithsesi arritën të barazonin në minutën 30-të me anë të Koreshit. Por në minutën e 42-të të pjesës së parë, akordimi i dy kartonëve të kuq për vendësit dhe i një të tilli për miqtë velipojakë ka shpërthyer një sherr masiv mes palëve, mes lojtarëve në fushë dhe stafeve drejtuese respektive. Në këto kushte, duke qenë se gjyqtarët nuk ishin të sigurt për ta vazhduar lojën, vendosën që ta ndërpresin ndeshjen, kur shifrat ishin 1-1. Tashmë pritet vendimi i Disiplinës për këtë rast, i cili risolli në skenë problemet dhe dhunën në futbollin shqiptar. Në takimet e tjera, vlen të theksohet se dy nga kryesuesit luanin në shtëpi, çka në pak fjalë nuk është se priteshin ndryshime apo surpriza. Dhe kështu ka ndodhur në fakt, sepse Luftëtari mundi lehtësisht Gramshin, falë tripletës së Arlind Norës, ndërsa Lushnja sfidoi në “Roza Haxhiu” fushëkrujasit e Ilirisë, duke shënuar një gol në pjesën e parë me anë të mbrojtësit Xhafa dhe një tjetër në fund të lojës me goeladorin Canka. Sakaq, ndjekësit më të afërt të Luftëtarit, kuksianët, ishin mysafirë në Himarë ku nuk patën problem që të fitonin falë dopiatave të Malos dhe Hamzait. Në Lezhë, Besëlidhja priti Gramozin e vendeve të fundit, një sfidë ku të besuarit e Kullit shënuan një nga goleadat e këtij sezoni. Në harkun e 90 minutave, lezhjanët shënuan shtatë herë në portën e kolonjarëve. Pasi kanë parakaluar Besën në vendin e katërt, javën e shkuar, tashmë lezhjanët duken më të karikuar se kurrë për t’iu bashkuar Superiores në edicionin e ardhshëm. Ndërkohë, Besa ishte mysafire në Sarandë, për të luajtur një sfidë delikate dhe përcaktuese për fatin e saj. Verdhezinjtë e Maganit janë mundur me rezultatin 2-1, duke dëshmuar momentin e keq që po kalojnë në këtë fund kampionati. Besa, pas dy humbjeve radhazi me Lushnjën dhe Butrintin, ka humbur terren në raport me vendet e kreut, që do të thotë larg Superiores. Tashmë në lojë mbetet vetëm “play-off”-i, i cili shihet si një mundësi për t’i përmbushur objektivat e sezonit.

Kategoria 1/ Java 26
Elbasani-Burreli    2-1

Shënues: Dalipi 23, 66′/ Ivanaj 70′
Butrinti-Besa        2-1
Shënues: Papa 31, Kola 65′/ Poçi 52 (p)
Lushnja-Iliria        2-0
Shënues: Xhafa 48, Canka 87′
Luftëtari-Gramshi    4-1
Shënues: Strati 3′, Nora 42, 52, 85′/ Pengu 73′
Besëlidhja-Gramozi    7-0
Shënues: Stojkoviç 21′, Dibra 28′, Kaçi 37′, 90′, Gjeorgjeviç 62′, Gruda 70′, Miliç 75′
Skrapari-Ada    1-1  (u ndërpre)
Shënues: Koreshi 30/ Selmani 8
Himara-Kukësi    1-4
Shënues: Martins 75/ Malo 16, 43, Hamzai 36, 84
Vlora-Mamurrasi    1-0
Shënues: Plepi 86′

RENDITJA
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    P

1. Luftëtari    26     20     2     4     47     18        62
2. Kukësi    26     19     2     5     55     20        59
3. Lushnja     26     17     5     4     44     14     56
4. Besëlidhja    26     15     6     5     32     10     51
5. Besa     26     15     3     8     39     28     48
6. Elbasani     26     11     5     10     38     39     38
7. Gramshi     26     9     7     10     30     36     34
8. Burreli     26     10     3     13     22     32     33
9. Butrinti    26     8     7     11     27     32     31
10. Ada    25     7     9     9     29     29     30
11. Mamurrasi 26     8     4     14     27     38     28
12. Iliria     26     8     3     15     31     40     27
13. Gramozi     26     8     2     16     19     46     26
14. Vlora     26     5     6     15     22     44     21
15. Himara     26     5     5     16     23     39     20
16. Skrapari     25     3     9     13     16     36     18

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›