E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë, Nurnberg!

Albert Bunjaku, sipas të gjitha gjasave, në fund të sezonit do të përshëndetet me Nurnbergun. Sulmuesi kosovar ka pritur deri tash thirrje nga klubi për vazhdimin e kontratës, por kjo nuk ka ndodhur. Prandaj, 28 vjeçarit i duhet ta kërkojë një sfidë tjetër. Përfaqësuesi zviceran ndihet keq për këtë fakt, pasi që i kaloi momentet më të mira në karrierë në Nurnberg.

Eksperienca e Albert Bunjakut në Nurnberg duket se ka marrë fund. Sulmuesi kosovar do të largohet nga klubi gjerman gjatë verës, për ta nisur një eksperiencë të re. 28 vjeçari, të cilin e përshkuan lëndimet e njëpasnjëshme kohëve të fundit, e ka kuptuar se drejtuesit e klubit nuk llogarisin më në të, pasi që kanë plane tjera.

Ai kishte pritur deri tash një propozim për kontratë të re, por që udhëheqësit e klubit kanë heshtur. “Më nuk do të pres thirrje. Derisa asgjë nuk ka ndodhur deri tash, kjo do të thotë se klubi nuk do të ndërmarrë asgjë”, deklaroi fillimisht përfaqësuesi zviceran, i cili ka zhvilluar këtë sezon 14 ndeshje me ekipin e parë dhe ka shënuar vetëm një gol.

“Këta sinjale i vëren një lojtar. Nuk je budalla që të mos e kuptosh që trajneri ka plane tjera. Mendoj se është mëkat, sepse kam kaluar periudhë të mirë këtu. Por, ky është futbolli, nuk mund ta ndryshoj atë. E kuptoj në njëfarë mënyre, sepse kam qenë i lënduar për një kohë të gjatë”, vazhdoi Bunjaku.

Ende nuk dihet se ku do ta vazhdojë karrierën futbollisti gjilanas, por mediat kuptojnë se ish futbollisti i Erfurtit dëshiron të mbetet në Gjermani. Bunjaku ishte transferuar në Nurnberg tre vjet më parë nga Erfurti. Ai ka zhvilluar 52 ndeshje me këtë ekip, duke realizuar 14 gola.

Ai e pati sezonin më të mirë në karrierë, atë 2009/10, kur kishte kontribuuar me 12 gola. Më pas pësoi lëndim të rëndë në gju, i cili e la jashtë fushës gjysmë sezoni, por që më nuk u kthye asnjëherë ai i mëparshmi. Në dy sezonet e fundit ka realizuar vetëm dy gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›