Çelsi i falet bishës, Barcelona në tapet
Champions/ Di Mateo: Fitore e merituar. Guardiola, kaulifikohemi në Spanjë.
Vendos një gol i Drogbasë në fundin e pjesës së parë.
Çelsi ka mundur Barcelonën në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve. Didier Drogba shënoi golin e vetëm të këtij takimi në kohën shtesë të pjesës së parë të lojës.
Duhet pranuar: blutë e Lodrës janë ndër të paktat skuadra në botë që ka luajtur si e barabartë ndaj Barcelonës për më shumë se një orë. Ekipi i drejtuar nga italiani Roberto di Mateo jo vetëm ndali mitin “Barcelona”, por tregoi edhe se skuadra e Pep Guardiolës vihet më shumë në rrezik në momentet kur nuk qëndron thjesht në mbrojtje, por e mban në presing të vazhdueshëm. Këtë gjë bërë dje Çelsi pothuajse gjatë gjithë pjesës së parë. Madje edhe goli erdhi si rezultat i presingut që blutë bënë në gjysmëfushë. Mesi tentoi të kalonte dy-tre lojtarë, humbet topin dhe nga aty lindi kundërsulmi që me tri pasime: Lampard-Ramires-Drogba solli edhe golin e vetëm të ndeshjes. Në pjesën e dytë, Barcelona ushtroi më shumë presion, madje në fundin e ndeshjes pati edhe dy raste mjaft të mira për shënim, por nëse në të parin topi i gjuajtur me kokë nga Pujol gjeti pritjen spektakolare të Peter Çeh, në të dytën, sfera pasi u përplas në shtyllë, u kthye në këmbët e Buskets, i cili nga fare pranë gjuajti mbi traversë. Pas ndeshjes, trajneri i Çelsit, Di Mateo, vlerësoi lojën e skuadrës së tij duke theksuar se fitorja ishte më se e merituar. “Luajtëm si të barabartë ndaj një skuadre, absolutisht më e mira në botë. Mendoj se me atë që dhamë e merituam fitoren”, tha Di Mateo. Ndërsa tekniku i Barcelonës, Pep Guardiola, u ndal më shumë te pjesa defensive e vendësve dhe fakti se skuadra e tij qe disi e pafat, sidomos në fundin e lojës. “Pësuam një gol në kundërsulm dhe më pas Çelsi u vu në mbrojtje të rezultatit duke u mbrojtur me shumë lojtarë, çka e bëri të vështirë depërtimin në zonë. Gjithsesi ne patëm rastet tona, të cilat ca për fajin tonë dhe ca për mungesë të fatit nuk arritëm t’i kthenim në gol. Gjithsesi është vetëm një humbje minimale dhe jam i bindur se në ndeshjen e kthimit do të fitojmë dhe do të kualifikohemi”, ka pohuar Guardiola. Kujtojmë se ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të luhet të martën e javës tjetër në “Camp Nou” në orën 20:45. Ndërsa ditën e mërkurë, në të njëjtën orë në “Santiago Bernabeu”, Real Madrid do të presë gjermanët e Bajernit të Mynihut.
SKEDA
Çelsi 1
Barcelona 0Shënues: Drogba 45′
Kartonë të verdhë: Ramires, Drogba/ Pedro, Buskets
Gjyqtarë: Feliks Brish/ M.Pikel dhe M.Borsh (GER)
Çelsi: Çeh, Ivanoviç, Kahill, Terri, A.Kol, Lampard, Obi Mikel, Meireles, Juan Mata (Kalou 74′), Ramires (Bosingva 88′), Drogba.
Trajner: Roberto Di Mateo
Barcelona: V.Valdes, Dani Alves, Pujol, Maskerano, Adriano, Ksavi (Kuenca 87′), Buskets, Iniesta, Mesi, Sançez (Pedro 66′), Fabregas (Alkantara 78′).
Trajner: Pep Guardiola