E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu-Tirana, luhet një El Clasico

Përballen edhe në finalen e Kupës më 17 maj, eliminohet Kastrioti e Flamurtari.

Rikthehet superndeshja, mes konfirmimit dhe hakmarrjes.

Tirana ka eliminuar Flamurtarin, falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë në Vlorë (dje u mbyll 2-2), ndërsa ka përfituar nga fitorja në takimin e parë edhe Skënderbeu, i cili eliminoi Kastriotin.
Kështu, finalja e Kupës do jetë sërish një superndeshje: Skënderbeu-Tirana. Vetëm pak ditë nga ndeshja e 14 prillit në Korçë për kampionat (2-0 për vendësit), kupa na dhuron një tjetër përplasje mes këtyre dy skuadrave, por tani në një finale të vërtetë, ku nga njëra anë priten konfirmime dhe nga ana tjetër hakmarrje. Korçarët, në formën e tyre më të mirë, veç kampionatit (gjithsesi nuk e kanë fituar ende), do pretendojnë që të bëjnë të tyren edhe kupën, ndërsa kryeqytetasit nuk mund t’ia lejojnë vetes që të humbin edhe trofeun e dytë, duke qenë se në kampionat janë tashmë -4 pikë nga vendi i parë. Kështu, teorikisht finalja e 17 majit (nuk dihet ende se ku do luhet), më shumë sesa një ndeshje futbolli, pritet të jetë një duel nervash, tipik ose i krahasuar me Barcelona-Real të sezonit të shkuar, ku u luajtën plot pesë “El Clasico” (kampionat, kupë mbreti dhe Champions). Duhet pranuar se teorikisht që të dyja skuadrat kanë shanse reale dhe të barabarta për ta fituar trofeun e Kupës. Duke qenë se ndeshja do të zhvillohet pas përfundimit të kampionatit, kjo në një farë mënyre qartëson edhe skuadrat, të cilat do kenë më shumë mundësi për të bërë llogari (nëse do duhet). Korçarët, me një organikë më se të kompletuar, pasi kanë eliminuar dje Kastriotin, do të mundohen që të mos stonojnë për herë të katërt në historinë e tyre në një finale të Kupës. Më përpara bardhekuqtë kanë qenë në finale në 1958-n, kur u mundën 4-0 nga Partizani, në 1965-n, ku janë mundur minimalisht nga Vllaznia dhe në 1976-n ndaj Tiranës, ku kanë humbur në të dyja takimet 3-1 dhe 1-0. Kjo ka qenë në fakt edhe e vetmja herë kur këto skuadra janë ndeshur së bashku në kupë në një ndeshje finale. Nga ana tjetër, Tirana ka shkuar 23 herë (bashkë me të djeshmen) në finale, dhe 14 herë ka arritur ta bëjë të vetin këtë trofe: 1939, 1963, 1976, 1977, 1983, 1984, 1986, 1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006 dhe 2011. Ndërsa bardheblutë kanë dalë duarbosh në 1948, 1949, 1952, 1982, 1995, 2005, 2008 dhe 2009. Ndërsa kujtojmë se bardheblutë janë mbajtësit aktualë të trofeut, pasi e fituan vitin e kaluar në finale me Dinamon. Ekzistonte vetëm një mundësi që në lojë për Ligën e Europës të mos futej vendi i katërt në renditjen e Superiores: nëse në finalen e kupës do të shkonte Kastrioti ose Flamurtari. Ndërkohë, me eliminimin e të dyja këtyre skuadrave, cilado që do ta fitojë trofeun e kupës, Skënderbeu apo Tirana, do t’i japë mundësi edhe skuadrës që do renditet në vend të katërt në fund të kampionatit të luajë në Ligën e Europës.

“Më pëlqen të kem përballë Skënderbeun”
Trajneri spanjoll, Hulian Rubio, u shpreh mjaft i lumtur për kalimin në finale. “Ajo që më intereson më shumë, është kalimi në finale. Për sa i përket kundërshtarit, mund të them se më pëlqen të përballem sërish ndaj Skënderbeut, por për mua ishte më e rëndësishme të mbërrija një herë në finale. Nuk e di se çfarë rëndësie i jepet kupës këtu, por në Spanjë ka ekipe që luajnë vetëm për “Kupën e Mbretit”. Në dy muaj që kemi siguruar një vend në Europë, diferenca në pikë na e ka mundësuar këtë. Për ndeshjen e sotme (djeshme) mund të them se jam i kënaqur, por mos harroni se vinim nga një takim që na dha goditje morale. Me sezonin që kemi bërë deri tani, përfshirë edhe problemet, mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Me këta muaj që kam kaluar, kam parë shumë gjëra që nuk do më lënë më të jem i qetë”, tha Rubio.

“Na pret një tjetër finale në Vlorë”
Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, nuk e ka fshehur pas ndeshjes gëzimin e tij për arritjen në finalen e kupës. “Qëllimi ynë ishte të shkonim në finale dhe ne atë sot (dje) e realizuam. Megjithëse ekipi nuk u paraqit ashtu siç unë do të dëshiroja, e rëndësishme është që u kualifikuam. Ky është fakti që na gëzon më shumë. Për sa i takon ndeshjes tjetër të radhës në kampionat, mendoj se na pret një tjetër finale në Vlorë. Deri në fund do të luajmë ndeshje shumë të rëndësishme për fatet tona. Ndërsa në lidhje me vendin ku do të zhvillohet finalja e kupës, duke qenë se do të luhet ndaj Tiranës, nuk na përket neve të vendosim nëse do të luhet në kryeqytet apo në ndonjë qytet tjetër. Kudo që të vendoset për të luajtur, ne do të luajmë për fitore”, deklaroi tekniku çek i Skënderbeut, Stanislav Levi.

Tirana-Flamurtari 2-2 (3-0)
Shënues: Cikalleshi 6′, Ferraj 29 / Pejiç 21′, Pezo 79′
Tirana: I.Lika, Sina (Duro 32′), Dushku, Pisha, Ahmataj (Kalari 22′), Taku, Karabeci, Ferraj, G.Lika (Aziri 86′), Bala, Cikalleshi. Trajner: H.Rubio
Flamurtari: Koliqi, Brahja, Sakaj (Rajoviç 66), Veliu, Arbraham, Pezo, G.Muça, Çela (Lena 46), Telushi, Progni (Selimi 60), Pejiç. Trajner: Sh.Muça
Gjyqtarë: A.Janku/G.Koka dhe M.Dervishi

Kastrioti-Skënderbeu 0-0 (1-3)
Kastrioti: A.Hoxha, Caca, Ognjanoviç (Sekseni 66′), Malakarne, Vukomanoviç (R.Hoxha 62′), Pashaji, Alikaj, Muçollari, Turdiu, Cetkoviç (Xhihani 73′), Inkango. Trajner: Ramadan Ndreu
Skënderbeu: Shehi, Fagu (Dimo 55′), Radas, Bici, Arapi, Bratiç, Orelesi, Muzaka, Allmuça, Plaku (Biskup 89′), Xhafaj.
Trajner: Stanislav Levi
Gjyqtarë: B.Pashaji/R.Çokaj dhe E.Barushi

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›