E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogba ëndërron të luajë te Milani

Didier Drogba ëndërron fanellën e Milanit dhe këtë e ka bërë publike pa ekuivoke në autobiografinë e tij, që pritet të publikohet së shpejti. Kur mungon diçka më pak se një javë nga finalja e Ligës së Kampioneve kundër Mançester Junajted, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka rihapur diskutimet për të ardhmen e tij. Gjatë gjithë këtij sezoni, Drogba ka kërkuar të largohet nga "Stemford Brixh" e deklaratat më të forta erdhën pas largimit të teknikut Hoze Murinjo nga drejtimi i Çelsit. Mes të tjerave, lojtari ka rrëfyer në librin e tij se në gusht të vitit 2006 është takuar me Paolo Maldinin dhe zv/presidentin Adriano Galiani, të cilëve u ka thënë se ishte i gatshëm në çdo moment që të transferohej te kuqezinjtë. "Të gjithë futbollistët ëndërrojnë të luajnë për Milanin. Këtë ia shpjegova Paolo Maldinit, të cilit i konfirmova se Milani është skuadra për të cilën ëndërroj të luaj", citohej në një paragraf. Mes rrëfimeve të Drogbasë binte në sy edhe një pjesë ku ai tregonte se së fundmi kishte udhëtuar në Milano me një avion privat. Sapo ishte ulur në aeroport, Galiani e ka pyetur se kur do të vinte dita që sulmuesi të luante me Milanin, pyetje të cilës Drogba nuk ka hezituar t‘i përgjigjet: "Kur të doni, varet vetëm prej jush. Bëni gati paratë për blerjen time dhe shkoni për të biseduar me Çelsin". Sipas tabloidit britanik, "The Sun", të nesërmen e kësaj deklarate Galiani ka paraqitur një ofertë zyrtare te klubi i Roman Abramoviç.

Drogba tregon se e gjithë ajo që ndodhi përpara dy viteve nuk është pritur mirë nga Murinjo. Sapo ka mësuar kontaktet me Milanin, trajneri portugez është acaruar me lojtarin. Pjesëtari i Kombëtares së Bregut të Fildishtë i kishte thënë Murinjos se do të shkonte te dentisti në Paris, për një vizitë e cila ishte anuluar. Pasi ishte vënë në dijeni për gjithçka, portugezi i ka telefonuar dhe bërtitur për veprimin - një mësim që "goleadori" nuk e harroi kurrë. Sulmuesi 30-vjeçar shkruan në autobiografi: "Hoze mori telefonin, e vendosi në altoparlant dhe tha: ‘Në rregull, duke qenë se nuk jemi fëmijë, do të bisedojmë. Të kisha besuar, por ja se çfarë ndodhi. Më thoshe që jam te dentisti në Paris, por ndërkohë shkon të takohesh me Milanin ku fole rreth transferimit tënd të mundshëm. Më ke gënjyer. Nuk e mbajte fjalën. Je edukuar në mënyrë të gabuar, apo si është puna?‘". Murinjo ishte aq i mërzitur me veprimin, saqë e la Drogbanë të stërvitej me skuadrën e dytë të Çelsit: kulmi i turpërimit ishte aktivizimi i sulmuesit me ekipin e dytë kundër Uest Hemit. Që prej këtij momenti marrëdhëniet ndërmjet të dyve ndryshuan: lojtari mori një mësim të vlefshëm, të cilin e pasqyronte me gola në fushën e lojës. Në sezonin 2006-‘07 ai shënoi plotë 34 rrjeta: sulmuesi i parë i Çelsit që kalon kuotën e 30 golave pas Kerri Dikson në vitin 1985. Murinjo i bëri nderimin e fundit lojtarit gjatë largimit në shtatorin e kaluar. Ai i tha: "Je sulmuesi më i mirë në botë dhe u bërë i tillë me punën dhe djersën tënde. Jam shumë krenar për ty dhe dua t‘i tregosh botës se sa i mirë je". Drogba nuk i përballoi dot fjalët dhe shpërtheu në lot, e ndërkohë që shokët e skuadrës ngushëllonin, Murinjo u largua për herë të fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›