Katalanasit, gati oferta e parefuzueshme për Kaka
Gazeta katalanase, "Sport", ka hedhur dje hipotezën për një lëvizje të papritur të merkatos, sipas të cilës Barcelona po mendon blerjen e yllit të Milanit, Rikardo Kaka. Sipas kësaj gazete, në ambientet e klubit po flitet gjithnjë e më shumë për një blerje të madhe nga ana e Laportës, i cili kërkon ta përdorë merkaton për të rikthyer optimizmin në skuadër dhe te tifozeria. Emri i Kaka do të ishte zgjidhja e duhur ndaj të gjitha problemeve, ndaj po mendohet një ofertë të cilin Milani nuk mund ta refuzojë. Kuqezinjtë nuk do të dëshironin të hiqnin dorë nga ylli i tyre, por edhe kjo skuadër po përpiqet të fillojë gjithçka nga e para pas një sezoni krejtësisht zhgënjyes. Interesimi i Milanit për Ronaldinjon dhe Zambrotën është i ditur prej kohësh dhe me Dekon, që mendohet se do të largohet nga katalanasit gjatë verës, ky do të ishte shkëmbimi më i madh i futbollistëve në historinë e këtij sporti. Edhe nëse Deko nuk përfshihet në këtë çështje, katalanasit mendojnë se Ronaldinjo, Zambrota dhe një çek prej 20 milionë eurosh mund të bindë drejtuesit kuqezinj të paktën për të filluar negociatat për shitjen e mesfushorit brazilian. Shumë nga gjërat do të varen nga kualifikimi i Milanit në Ligën e Kampioneve. Nëse kuqezinjtë nuk e arrijnë objektivin, atëherë Kaka mund të ketë një arsye për t‘u larguar. Por duket shumë e vështirë që një lojtar si Ronaldinjo të pranojë të transferohet te një skuadër që nuk merr pjesë në aktivitetin më të rëndësishëm evropian për klube. Kjo është arsyeja kryesore pse kjo marrëveshje është shumë e komplikuar për t‘u realizuar.