E Diel, 1 Nëntor 2026

Karikaturistët, tmerri më i madh i liderit të Kremlinit

Me pamjen e tij të pangatërrueshme është i kudondodhur në politikën ruse dhe atë të huaj, por Vladimir Putin është edhe një ëndërr e vërtetë e karikaturistëve. Në fillim të "mbretërimit" të tij tetëvjeçar ai nisi një luftë të përgjakur në Çeçeni dhe premtoi se do të shkatërronte terroristët. Tani, kur ai i është afruar fundit të mandatit të tij të dytë, po mohon zërat për një martesë të mundshme me një gazetare 24-vjeçare dhe u thotë gazetarëve t‘i mbajnë "hundët e tyre ngatërrestare dhe fantazitë erotike" larg jetës së tij private. Në fakt, ka material të mjaftueshëm për çdo karikaturist. Por, ka vetëm një problem. Karikaturistët rusë e kanë të ndaluar ta vizatojnë atë. Mikhail Zlatkovski është ndoshta karikaturisti më i famshëm në Rusi, skicat e tij shfaqen çdo ditë në gazetën "Novie Izvestia" dhe ka një histori të gjatë karikaturash politike që datojnë që në vitet ‘70. Ai ishte i pari karikaturist rus që vizatoi Mikhail Gorbaçovin dhe Boris Jelcinin. Ai gjithashtu ka vizatuar Stalinin edhe pse karikatura që ai e kishte bërë kur ishte adoleshent, në 1959-ën, u desh të priste deri në 1988-ën që të botohej. Kur Jelcini emëroi Putinin si President në detyrë, natën e ndërrimit të viteve 1999-2000, Zlatkovski hoqi dorë nga Jelcini i sëmurë dhe i lodhur dhe ktheu sytë nga Putini, duke e vizatuar me një kurorë në kokë. Putin u bë subjekt i zakonshëm për karikaturat e Zlatkovskit. Por, kur Presidenti i ri mori zyrtarisht detyrën më 7 maj 2000, një ditë më pas, kryeredaktori i Zlatkovskit hyri në dhomën e lajmeve menjëherë pas një pritjeje në Kremlin dhe tha: "Nuk do të botojmë më karikatura të Putinit". Nga ajo ditë e më pas, Zlatkovski nuk ka botuar më asnjë karikaturë të Putinit. Në ditët e sotme, të vetmet karikatura të liderit rus që shfaqen në shtypin vendas, janë ato që e paraqesin atë nën një dritë pozitive, e madje edhe heroike. Por, ndërsa koha e tij po përfundon, Zlatkovski thotë se numri i subjekteve tabu, si ministra, ndihmës të Kremlinit, Çeçenia dhe drejtuesit ushtarakë, janë bërë po ashtu të paprekshëm. Kohët e fundit, një karikaturë që tregonte Aleksein II, patriarkun e Kishës Ortodokse Ruse, bëri që Patriarkati të protestonte dhe të kërkonte që ai të mos pikturohej kurrë më. Zlatkovski ka punuar si karikaturist që në 1971-shin, por gjatë periudhës sovjetike ai nuk kishte guxuar kurrë të vizatonte liderët e partisë. Karikaturat që shfaqeshin në shtypin e asaj kohe ngrinin në qiell zhvillimin socialist apo kritikonin Perëndimin imperialist. Më vonë, gjatë perestrojkës, Zlatkovski kujton se ishte thirrur nga disa agjentë të KGB-së të cilët i kishin kërkuar të gjitha karikaturat ku shfaqej Mikhail Gorbaçovi. "Më thanë se Gorbaçovi udhëtonte jashtë asokohe dhe përpiqej të tregonte imazhin e ri të socializmit", kujton ai. "Por, në një konferencë në Paris, një gazetare e kishte pyetur si mund të kishte demokraci në Bashkimin Sovjetik kur nuk kishte as një karikaturë që të vinte në lojë liderin. E një ditë më vonë, u detyrova të paraqitesha me një numër karikaturash të Gorbaçovit dhe për këtë mora edhe një goxha shpërblim, pavarësisht se isha paralajmëruar që nuk duhej të vizatoja asgjë shumë ofenduese apo fyese". Karikaturat nuk u botuan asnjëherë në Bashkimin Sovjetik, por u shpërndanë në Perëndim, për të treguar se Rusia e asaj kohe kishte demokraci reale. Pas Gorbaçovit erdhi Jelcini. "Satiristët duhet t‘i ndërtojnë një monument Jelcinit", thotë Zlatkovski. "Sigurisht në atë kohë kishte shumë gabime, por në krahasim me atë që ne kemi tani, ato ishin kohë vërtet të arta". Shumë gazeta punësuan karikaturistë për të bërë humor pa fund me qeverinë dhe me Jelcinin, që gjithkush e di se i pëlqente ta tepronte me vodkën dhe nuk ishte në shëndet fort të mirë. Kur Putin u bë Kryeministër e më pas President në detyrë, karikaturat që kishin atë në qendër vazhduan edhe për disa kohë, por shpejt filluan të rralloheshin, deri sa u zhdukën krejt. Për momentin, i vetmi vend ku rusët mund të qeshin me liderët e tyre është interneti, ku gjenden anekdota pa fund për Putinin. Në një prej tyre, Putin thërret një ndihmës në zyrën e tij dhe thotë se para largimit duhen bërë disa rregullime të fundit. Ai dërgon këshilltarin e tij në Izrael dhe i kërkon që të bëjë të mundur që ai të varroset përkrah Jezusit, me çfarëdolloj çmimi. Pas negociatash të dhimbshme me të gjitha palët e përfshira, ndihmësi kthehet dhe thotë se gjithçka ishte rregulluar, por duheshin paguar 10 miliardë dollarë. "10 miliardë?", thërret Putin i habitur. "Po, 10 miliardë për tri ditë!", ia kthen ndihmësi. Ndërkohë, shumëkush druan se ndërsa Putin përgatitet të largohet nga Kremlini, javën e ardhshme, edhe interneti mund të vihet nën kontrollin e qeverisë. Ligjet e reja anti-ekstremizëm mund të përdoren kundër faqeve të internetit që janë kritike ndaj autoriteteve. Javën e shkuar, faqja e internetit e një gazete lokale u mbyll, pasi përdoruesit shkruan komente negative mbi autoritetet vendore. "Autoritetet kanë frikë nga satira dhe humori më shumë se sa nga gjithçka tjetër", thotë Zlatkovski. "Asgjë nuk e cenon aureolën e tyre të madhështisë më shumë se sa satira".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›