E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogba mungon në Botëror

Ylli i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba do të mungojë në Kampionatin botëror pas frakturës në dorën e djathtë gjatë ndeshjes miqësore kundër Japonisë, të premten.

“Ai tha se për të, Kampionati botëror ka përfunduar”, tha qendërmbrojtësi Kolo Toure.

32-vjeçari Drogba ishte bartur jashtë fushës pas 13 minutave lojë pas një ndërhyrjeje nga mbrojtësi japonez, Marcus Tulio Tanaka në fitoren 2-0 të Bregut të Fildishtë ndaj Japonisë. Ai ishte dërguar menjëherë në spital.

“Në fytyrën e tij shihej se sa ishte i mërzitur dhe kjo është e kuptueshme. Është vështirë për ne, sepse ai është futbollist jashtëzakonisht i rëndësishëm”, shtoi Toure.

Ndërsa, zëdhënësi i ekipit, Eric Kacou tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se “bëhet fjalë për frakturë në dorën e djathtë”.

Drogba shënoi 29 gola në 32 ndeshje të Premierligës këtë sezon dhe i ndihmoi Chelseas të fitojë titullin.

Ndeshja e së premtes ishte miqësorja e fundit për Bregun e Fildishtë dhe Japoninë para nisjes në Afrikën e Jugut.

Bregu i Fildishtë gjendet në Grupin G së bashku me Brazilin, Portugalinë dhe Korenë e Veriut. Ndeshjen e parë e zhvillojnë më 15 qershor kundër Portugalisë në Port Elizabeth.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›