Pele: Seksi u bën mirë lojtarëve
Kryerja e marrëdhënieve seksuale nuk ndikon në përkeqësimin e rendimentit të lojtarëve të impenjuar në Kupën e Botës. Ndërkohë, pasoja negative mund të shkaktojë “jeta e natës, në mënyrë të pakontrolluar”. Ky është opinioni i legjendës së futbollit botëror, Pele. Komentet e “O Rei”-t lidhen me kufizimet që disa trajnerë kanë vendosur gjatë grumbullimeve të skuadrave përpara startit të aktivitetit. Mes tyre figurojnë tekniku brazilian, Karlos Dunga, i cili ka vendosur disiplinë edhe gjatë kohës së lirë dhe drejtuesi i stolit të Argjentinës, Diego Armando Maradona, që ka pranuar marrëdhëniet seksuale, por vetëm me partneret e zakonshme dhe jo gjatë kohës kur skuadra pushon. Pyetjes se cilat skuadra dëshiron që të shohë në finalen e Afrikës së Jugut, Pele i është përgjigjur: “Nëse do të varej nga unë, nëse do të isha Zoti do të përcaktoja një finale ndërmjet Brazilit dhe një prej skuadrave afrikane”. Rreth kritikave që shumë prej protagonistëve të botërorit kanë bërë për topin zyrtar të aktivitetit, ai mendon se gjithçka lidhet me publicitetin. Sipas Peles, kjo është arsyeja e vetme përse disa lojtarë bëjnë propagandë për një kompani të caktuar sportive dhe kritikojnë një tjetër. “Lojtarët nuk duhet ta përdorin topin ‘Jabulani’ për të justifikuar gabimet e tyre, theksoi futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Rendimenti varet vetëm prej aftësive të tyre. Skuadrat e kanë të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për t’u stërvitur dhe përshtatur përpara se Botërori 2010 të fillojë”.
Për polemikat dhe pakënaqësitë rreth topit ka folur edhe trajneri i “seleçaos”, Karlos Dunga. Ai doli në krah të lojtarëve dhe kritikoi hapur prodhimin e kompanisë “Adidas”. Sekretari i FIFA-s, Zherom Valke kishte deklaruar se “brazilianët ankohen për topin, pasi i tremben faktit se mund të mos fitojnë”. Dunga reagoi duke thënë: “Lojtarët e mi nuk janë munduar të gjejnë justifikime. Nëse Valke do të kishte luajtur me topin, padyshim që do të fliste ndryshe. Do të më pëlqente të shikoja nëse ai do të arrinte ta kontrollonte”.
#