Komuna Shalë po paragjykohet politikisht

Protesta e kryepleqve të komunës Shalë
Jetesa normale e banorëve të komunës Shalë në Shkodër është bërë e pamundur dhe askush nuk po merr asnjë masë për ti ardhur në ndihmë popullsisë akoma të bllokuar nga bora dhe ngricat. Kryetarët e fshatrave të kësaj komune i janë drejtuar të martën Prefekturës së Shkodrës ku janë ankuar për gjedjen shumë të vështirë në këtë komunë të shkaktuar nga izolimi prej deborës dhe mbarimi rezervave ushqimore.
Kryepleqtë kanë zhvilluar një protestë përpara godinës së prefekturës ku kanë kërkuar zhbllokimin e rrugëve nga dëbora.
Gjovalin Troja, Sekretar Këshilli i Komunës shprehet se shteti nuk ka marrë asnjë masë. Një fadromë ka shkuar deri tek Mali i Shoshit, atje thonë është blloku se nuk ka naftë apo nuk mundet me ecë më tej. Njerëzit janë tre muaj të bllokuar.
Kol Vata, kryeplak i fshatit Vuksanaj shton se është një traktor i vogël sa një kotec i cili do së paku 60 ditë që të zhbllokojë rrugën se nuk mundet më shpejt. Kryeplaku i fshatit Theth, Gjon Deda, shprehet se këto dy ditë ka ardhur dy herë helikopteri për të marrë të sëmurë. Sa shpenzon një rrugë helikopteri duhen lekë për të zhbllokuar rrugën së paku deri në Theth, kur që tani njerëz nga e gjithë bota planifikojnë të vijnë për turizëm. Por rruga është e bllokuar, ka shumë shembje që kanë ardh nga bora, nga natyra, por zgjidhja duhet të gjendet, thotë kryeplaku i Thethit.
Marash Ndou, kryeplak i fshatit Nënmavriç thotë se kur vijnë të kërkojnë vota sjellin 15-30 makina në Shalë, hanë e pinë ,ndërsa tani që kemi 2 muaj të bllokuar asnjëherë nuk kemi dëgjuar a parë në media që kryeministri të thotë një fjalë për ne.
Kryepleqtë janë takuar edhe me përfaqësuesit e prefekturës së qarkut Shkodër ku kanë marrë premtime se kjo situatë do të zgjidhet. Dëbora e rënë gjatë muajve janar dhe shkurt të këtij viti shkaktojë jo pak probleme për komunat e thella malore në qarkun e Shkodrës duke përfshirë edhe komunën e Shalës në të cilën trashësia e dëborës arriti në mbi 3 metra.