E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhja dy orë në prokurori, dëshmon për fshirjen e serverit

Sekretari i Keshillit te Ministrave, Gjergj Lezhja / Foto arkiv

Flamur Vezaj

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave z.Gjergj Lezhja rrëfehet në prokurori për kopjimin dhe fshirjen e pamjeve filmike nga serveri qendror i kamerave të sigurisë, që ndodhet brenda selisë. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës, ku ish-zv/ministri i Brendshëm Lezhja ka dëshmuar me detaje për organizimin e administratës dhe vend qëndrimin e tij, gjatë demonstratës së opozitës së bashkuar më 21 Janari 2011. Sipas këtyre të dhënave, mësohet se Lezhja është pyetur nga prokurori dhe oficeri i çështjes me cilësinë e deklaruesit dhe personit që ka dijeni për çështjen, duke administruar kështu dëshminë e tij në dosjen e procedimit penal, ku i dyshuar për këtë krim është inxhinieri i IT-së së kryeministrisë, Armando Kasaj.

Sipas të dhënave të prokurorisë, mësohet se Lezhja ka pretenduar se nuk ishte në dijeni se 16 kamerat e sigurisë të vendosura në Kryeministri punonin. Unë e dija që ato kamera nuk punonin që në vitin 2009. Bazuar në këto të dhëna që kisha, i kam kthyer përgjigje me shkresë zyrtare prokurorisë duke i bërë me dije se serveri qendror i kamerave të sigurisë nuk punonte-është shprehur Lezhja ndër të tjera. Më pas, sipas tij, është kontaktuar kompania private e cila kishte instaluar kamerat dhe vendosur programin e sigurisë, duke i kërkuar të bënin një raport me shkrim, nëse këto kamera punojnë. Pas kërkesës së dytë të prokurorisë, kam kërkuar nga kompania private që ka bërë instalimin e këtyre kamerave, një raport të detajuar për këto kamera. Në fakt, unë nuk merrem direkt me këto probleme, pasi është drejtoria e burimeve njerëzore dhe shërbimeve që është ngarkuar për këtë detyrë. Gjithsesi, kam marr raportin dhe konfirmimin e kompanisë private që serveri punonte dhe këtë ia kam dorëzuar prokurorisë së bashku me serverin qendror-mësohet se ka thënë ndër të tjera Lezhja, duke mohuar në mënyrë kategorike se kishte dijeni për serverin qendror. Nuk e di dhe nuk kam mësuar edhe sot, se si dhe kush i ka kopjuar dhe fshirë këto pamje filmike nga serveri qendror-ka thënë Lezhja para prokurorit dhe hetuesit të çështjes, duke u shprehur se ka qëndruar gjithë kohës në katin e tretë, pranë zyrës së kryeministrit Sali Berisha.

Nga ana tjetër, marrja e këtij serveri qendror është bërë nga prokuroria dy muaj pas ngjarjes, me ndërhyrjen e prokurorit amerikan, prokuror ky që dërgoi në laboratorin e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) edhe dy pistoletat, tytat e disa automatikëve, predhat e plumbave dhe gëzhojat që janë gjetur pas demonstratës së 21 Janarit. Por, pavarësisht se me ndërhyrjen e prokurorit amerikan prokuroria ka siguruar serverin, brenda saj ishin kopjuar dhe fshirë të gjitha pamjet, mesnatës e 21 Janarit duke u gdhirë data 22 Janar 2011. Përveç këtij serveri, Garda e Republikës ka dorëzuar dy CD-i pranë prokurorisë me pamje filmike. Këto pamje, janë nga kamera me nr.14 që ndodhet sipër ndërtesës së kryeministrisë, ballore. Nga kjo kamerë janë filmuar vetëm demonstruesit dhe momenti kur rrëzohet demonstruesi Ziver Veizi pasi qëllohet me plumb në gjoks. Më pas, po efektivë të Gardës kanë dorëzuar edhe një CD-i tjetër, ku brenda saj ndodhej një filmim prej vetëm 5 minuta nga kamera e sigurisë që ndodhej në pjesën veriore të kryeministrisë, apo ndryshe në krah të Piramidës. Këto pamje, kanë orën e regjistrimit nga ora 22:00 e deri 22:05 minuta të darkës së 21 Janarit 2011, ku janë filmuar vetëm disa punonjës policie në këmbë. Ndërsa pamjet filmike të regjistruar po atë ditë nga këto kjo kamerë janë zhdukur.

I dyshuari Kasaj: Një kopje e mori Lezhja dhe një Garda

Task-Forca e prokurorisë së Tiranës, tashmë ka administruar në dosjen hetimore dëshminë e të dyshuarit Armand Kasaj, i cili ndër të tjera ka pranuar se një kopje të pamjeve filmike të kopjuara nga serveri qendror i kamerave të sigurisë ia ka dhënë Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, z.Gjergj Lezhja dhe shefes së analizës në Gardën e Republikës, znj.Ervina Osmani. Por, kjo e fundit është marrë në pyetje në lidhje me këto pamje, ku ka pranuar se ka marrë një kopje të këtyre filmimeve, por vetëm të kamerës lëvizëse dhe jo të të gjitha kamerave që janë të vendosura në ndërtesën e Kryeministrisë. Për këtë çështjes, sipas akuzës, është pyetur edhe drejtori i personelit pranë kryeministrisë, z.Arben Shkodra. Nuk dihen shumë detaje të kësaj dëshmie, përveç faktit që ai ka mohuar se e kishte urdhëruar vartësin Kasaj të kopjonte dhe fshinte pamjet filmike që ndodheshin në serverin qendror të kamerave të sigurisë. Ndërkohë, mësohet se ai ka pranuar faktin se ditën e demonstratës së 21 Janarit ndodhej së bashku me disa persona të tjerë në zyrën e monitorimit të kamerave të sigurisë që ndodhen në katin e parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›