E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi i Madoff, ja të mashtruarit e mëdhenj

Disa nga bankat më të
mëdha të botës kanë
bërë të ditur dje se janë
viktima të një vjedhjeje të madhe
prej 50 miliardë dollarësh të
Bernard Madoff, ish-shefit të
Nasdaq. Ky i fundit është akuzuar
për mashtrim në atë që
konsiderohet si një nga rastet
më flagrante dhe më të rënda të
kategorisë së mashtrimeve bankare.
Mes bankave që janë goditur
nga mashtrimi janë britaniket
RBS, HSBC, banka spanjolle
"Santander" dhe francezja BNP
Paris. Një nga menaxherët më të
famshëm të fondeve në City të
Londrës, qendrën financiare të
Evropës, ka akuzuar rregullatorët
e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës që dështuan të zbulojnë
vjedhjen. "Mendoj se tani
është bërë shumë e vështirë për
njerëzit që të investojnë në
ndërmarrje që kanë si qendër
Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
sepse lajmet prej andej nuk janë
më kurrë të sigurta", ka thënë ai.
Skandali në fjalë ka të ngjarë të
jetë skandali financiar më i
madh në historinë e tregjeve
me një vjedhje që kap 50 miliardë
dollarët. Bankat dhe institucionet
financiare në të gjithë
botën kanë pasur shumë lidhje
dhe investime me Bernard
Madoff, por ende jo të gjithë
kanë konfirmuar humbjet që
mund të kenë pasur nga lidhjet
me financierin e fuqishëm.
Disa nga humbësit më të mëdhenj
duket se janë anëtarë të
klubit "Palm Beach" ku edhe rekrutoheshin
klientët më të pasur
të skemës së Madoff-it. Sipas
disa njoftimeve, lista e viktimave
të famshme përfshin një
senator të New Jerseyt, pronarët
e New York Mets dhe fondet e
bamirësisë të drejtuara nga
regjisori i famshëm i Hollivudit,
Stefen Spilberg, dhe novelisti
Elie Wiesel. Ky skandal i madh që
duket se do të jetë një tërmet
vërtet i madh për financat
botërore në përfundim të një viti
që ka hyrë në histori sjell
nevojën e vendosjes së praktikave
të mirëkontrolluara të
mbikëqyrjes përmes bordesh të
pavarura, të cilat duhet të sfidojnë
vazhdimisht procedurat e
menaxhimit dhe mënyrën e të
sjellit. Prokurorët amerikanë
bëjnë të ditur se Madoff, ishshef
i Nasdaq, është ideator dhe
realizuesi i një vjedhjeje e mashtrimi
të përmasave të jashtëzakonshme
përmes fondit të tij të
investimeve dhe zyrave të tjera
të këshillimit që drejtonte. Ai
akuzohet të ketë përdorur paratë
e investitorëve të rinj për të
paguar investitorët e vjetër, pra
me pak fjalë kishte ndërtuar një
skemë piramidale që dihet se
dikur do të dështonte. Një
gjykatë federale ka emëruar disa
persona për të mbikëqyrur asetet
e Madoff, si dhe llogaritë
bankare të të gjithë klientëve
dhe lidhjet e tij me bankat më të
rëndësishme të botës, një pjesë
e të cilave kanë raportuar dje
humbje të mëdha pikërisht nga
lidhja me një skemë të tillë. Sipas
ankesës kriminale të hedhur
në gjykatë, Madoff u ka thënë të
paktën tre nëpunësve të tij, të
mërkurën e kaluar se biznesi i tij
ishte një mashtrim dhe se ka
qenë prej vitesh një biznes jofitimprurës, pra që ka dalë gjithmonë
vetëm me humbje dhe
vazhdonte që të qëndronte në
këmbë vetëm falë prurjeve të
reja të investitorëve të rinj. Ai
kishte thënë se ishte i marrë
fund dhe se nuk kishte absolutisht
asgjë për të bërë dhe se
gjithçka ishte një gënjeshtër e
madhe e se skema e tij ishte një
skemë mashtruese e piramidale.
Nëse do të gjendet fajtor, financieri
mund të kalojë 20 vjet në
burg dhe do të paguajë një gjobë
prej 5 milionë dollarësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›