Drogë në autobusin e Athinës, pranga vëllait të pronarit të linjës
GJIROKASTER - Tentativa për të kaluar drejt Greqisë 12 kg marijuanë nëpërmjet autobusit të linjës Tiranë-Athinë, ka rezultuar e dështuar. Vëllai i menaxherit të firmës së transportit të udhëtarëve “Klid Ballkan”, është arrestuar nga Policia Kufitare e Gjirokastrës si dhe ajo e rendit si posedues i marijuanës. Kosta Gjini, 40 vjeç, është diktuar pas një serie pyetjesh të ndërmarra tek pasagjerët e autobusit, që udhëtonin drejt Athinës nga ana e specialistëve të policisë rajonale. Duke përfituar nga administrimi i lëvizjeve të autobusit, si dhe morisë së bagazheve të shumta, i arrestuari kishte futur lëndën narkotike në një çantë që nuk binte në sy. Zbulimi i drogës u bë rreth mesditës, në Kakavijë, në autobusin që udhëtonte nga kryeqyteti shqiptar drejt atij grek. Mësohet se policia ishte vënë në dijeni për lëndën narkotike në zonën e bagazheve. Pasi janë hequr të gjitha bagazhet e udhëtarëve, në një çantë është gjetur droga me 12 kg marijuanë. Brenda saj kishte 12 pako që peshonin 1 kg secila të krijuara në formë cilindrike dhe të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Autobusi së bashku me 34 pasagjerët në bord, është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar pas disa orësh, bënë të mundur identifikimin e poseduesit të çantës dhe lëndës narkotike. Kosta Gjini i vëllai i menaxherit të firmës “Klid Ballkan” sipas policisë është autori i transportit të 12 kg marijuanë në drejtim të Greqisë me destinacionin final Athinën. Pasi kanë dhënë deklarimet e tyre të nevojshme, pasagjerët dhe drejtuesi i autobusit, janë lënë të lirë për të vijuar rrugën drejt shtetit grek. Materialet i janë përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme.