Grabitja e bankës, shoqërohen 30 vetë
VLORË/ Nga ana e policisë u bë e ditur se automjeti i përdorur nga grabitësit dhe i djegur më pas ishte vjedhur
Policia e qytetit bregdetar ka vënë në dispozicion 30 mijë euro, si dhe dy numra telefoni për ata që japin informacione
VLORË - Automjeti i përdorur për grabitjen e armatosur të një banke në qytetin e Vlorës ishte i vjedhur. Mjetit luksoz tip "Benz" me targa TR 4176 K i është gjetur pronari, i cili mësohet të mos ketë lidhje me ngjarjen përveç faktit që automjeti i tij është përdorur nga katër autorët e grabitjes.
Ndërkohë, mësohet se rreth 30 vetë janë janë shoqëruar nga policia e Vlorës, të dyshuar si persona që mund të kenë dijeni për vjedhjen e bankës në zonën e Skelës mesditën e së hënës. Bëhet e ditur se nga ana e vetë bankës "Intesa San Paolo" është raportuar një mungesë prej 50 mijë eurosh dhe 10 milionë lekësh shqiptare.
Menjëherë pas zbulimit të automjetit të djegur, i cili rezultoi të ishte pikërisht ai që ishte përdorur për grabitjen nga katër personat e armatosur dhe të maskuar, të cilët hynë në bankën "Intesa San Paolo" në zonën e Skelës në Vlorë, u bë dhe identifikimi i pronarit. Nga verifikimet u arrit në përfundimin se automjeti luksoz ishte vjedhur dhe është përdorur vetëm për të kryer grabitjen nga organizatorët.
Më pas i është vënë zjarri për të humbur kështu çdo gjurmë të mundshme. Në hetimet që po kryhen, burime nga blutë bëjnë të ditur se pavarësisht shoqërimit të rreth 30 vetëve që dyshohet se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë mesditës së të hënës, ende nuk ka një emër konkret për grabitjen e armatosur. Ndërkohë, nga ana e vetë bankës, është bërë përllogaritja e shumës së grabitur.
Lidhur me këtë shumë, nga ana e policisë së Vlorës janë vënë 30 mijë euro shpërblim për të gjithë ata që do të ndihmojnë me informacione për vjedhjen. "Nisur nga rrethanat, koha që ka ndodhur, kërkojmë ndihmën e komunitetit për çdo informacion i cili do të jetë i dobishëm, në këmbim të ruajtjes së plotë të anonimatit.
Nga ana e drejtorisë së policisë së Vlorës janë vënë në dispozicion numrat e telefonit 0694107443 dhe 0694107441, në të cilët mund të komunikohet në rast se kihet dijeni për ngjarjen", u shpreh zëdhënësi i policisë në Vlorë. Bashkëpunimi konsiderohet me vlerë duke qenë se ngjarja ka ndodhur në një kohë që në rrugët e qytetit ka pasur shumë lëvizje.
Grabitja me maska dhe e armatosur e bankës "Intesa San Paolo" në Vlorë ndodhi në orët e drekës. Tre persona sulmuan bankën ku ndodheshin, veç personelit, edhe katër klientë, duke realizuar grabitjen të pashqetësuar.
Mësohet se në këtë rast sistemi i sigurisë nuk ka funksionuar në mënyrën e duhur çka ka lehtësuar grabitësit. Një nga dëshmitarët okularë u shpreh për gazetën "Shekulli" se gjithçka ishte e mirorganizuar dhe se grabitësit, të gjithë të armatosur, e kanë kryer çdo veprim me shumë shpejtësi