Kthehen emigrantët, kurse shqip për fëmijët
Gjirokastër-Në shkollat e ciklit parauniversitar në Qarkun e Gjirokastrës kanë nisur të funksionojnë kurse të veçanta mësimore ku fëmijët e emigrantëve të kthyer gjatë muajve të fundit në vendlindje mësojnë gjuhën shqipe. Kurse të tilla zhvillohen jo vetëm për fëmijët e shkollave 9-vjeçare, por edhe për nxënësit e shkollave të mesme, në rastet kur këta të fundit kanë vijuar për vite të tëra studimet në shkollat e vendeve fqinje. “Pjesa më e madhe e emigrantëve të kthyer së fundi vijnë nga Greqia, ku fëmijët e tyre kanë mësuar në shkollat greke për vite të tëra dhe kanë probleme për ambientimin me gjuhën shqipe”, thonë mësuesit. Sipas përfaqësuesve të institucioneve arsimore në Gjirokastër, aktualisht në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës janë regjistruar rreth 130 fëmijë të emigrantëve të kthyer muajt e fundit nga Greqia. “Pjesa më e madhe e tyre prej vitesh ka mësuar në shkollat greke, kështu që ata e kanë të vështirë të kuptojnë mësimin në gjuhën shqipe”, thotë E. Shehu, mësuese e ciklit të ulët në njërën prej shkollave të Gjirokastrës. Puna e diferencuar që po bëhet me këtë fëmijë si dhe kurset e çelura për mësimin e gjuhës shqipe synojnë që fëmijët e emigrantëve të kenë të njëjtën përgatitje me bashkëmoshatarët e tyre. B.K