Rama: Asnjë prind nuk ëndërron që fëmija e tij t'i ngjajë Berishës
Kryetari socialist Edi Rama ka vazhduar "Dialogun me Shqipërinë" për çështjet e arsimit në qytetin e Elbasanit. Duke bashkëbiseduar me mësues dhe pedagogë të këtij qyteti për arsimin, kryetari socialist e ka cilësuar këtë kategori nxënësish si të abuzuar në të drejtën e tyre për arsimimin e duhur. Rama e ka cilësuar këtë si një abuzim shtetëror, i cili vazhdon të ushqejë braktisjen e shkollës, duke rritur në mënyrë të ndjeshme analfabetizmin dhe injorancën. "Ky vend ka një amanet nga rilindas e nga martirë që janë sakrifikuar për dijen dhe për kulturën dhe ja kemi lënë në dorë këtë vend një përfaqësie krejtësisht të padenjë dhe unë nuk besoj së ka ndonjë prind në Shqipëri që do të ëndërronte që fëmija i vet të bëhej si Sali Berisha kur të rritej. Nuk ma do mendja që të ketë ndonjë nënë në Shqipëri qëkur del kryeministri i Shqipërisë në televizor, t'i thotë fëmijës, të keqen mami, dhëntë zoti të bëhesh si ky xhaxhi. Ndërkohë që nuk diskutohet që fëmijët kanë nevojë për modele, fëmijët kanë nevojë për shembuj, fëmijët kanë nevojë për pika referimi të cilat historia jonë na i ka dhënë", u shpreh Rama.
Kreu socialist u premtoi pedagogëve dhe mësuesve pjesëmarrës në këtë takim se me ardhjen në pushtet të socialistëve, Normales do t'i kthehet shkëlqimi dhe lavdia e dikurshme. "Ne do të rikthejmë Normalen e Elbasanit në shkëlqimin e saj të dikurshëm, sepse sot nëse ka një detyrim madhor ndaj të gjithë prindërve shqiptarë, është detyrimi për t'ju krijuar të gjithë fëmijëve të këtij vendi mundësinë që të komunikojnë, të dëgjojnë, të mësojnë, nga mësues dhe mësuese që përfaqësojnë frymën që lindi Normalen e Elbasanit, pasionin për dijen që e mbajti gjallë Normalen e Elbasanit dhe aspiratat që bën që nga Normalja e Elbasanit të niseshin anembanë në të gjithë territorin e vendit misionarët e dritës kundër errësirës, luftëtarët e dijes kundër injorancës", tha Rama. a.l