E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kriza, ja pikat ku bankat duhet të kenë kujdes”

 

Fabiola Çela

Bankat që operojnë në tregun vendas nuk janë prekur nga kriza ndërkombëtare financiare. Por pavarësisht kësaj situate pozitive, Banka e Shqipërisë ka evidentuar treguesit, në të cilët bankat e nivelit të dytë duhet të tregojnë kujdes, me qëllim që të parandalojnë shtrirjen e kësaj krize financiare në tregun vendas. Madje, për të parandaluar çdo situatë të pakëndshme Banka e Shqipërisë ka hedhur idenë e hartimit të një ligji ri për marrëveshjet e kolateralit financiar.
Situata
"Aktualisht, nuk evidentohet ndonjë rrezik, i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe likuid, duke respektuar kërkesat e kuadrit rregullator mbikëqyrës", thuhet në deklaratën më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Por pavarësisht kësaj, sipas BSH-së, në kushtet e zhvillimeve të pafavorshme në tregjet financiare ndërkombëtare, nevojitet rritja e vigjilencës nga ana e institucioneve financiare për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në këto tregje.
Treguesit
Sipas Bankës Qendrore, nevojitet një ndjekje e kujdesshme e ecurisë së cilësisë së aktiveve dhe ka ardhur koha për t'i kushtuar një vëmendje më të madhe ecurisë së treguesve të likuiditetit. Sipas BSH-së, kur analizohen këta tregues është e rëndësishme të mbahen në konsideratë disa elemente. Së pari, mungesa e një tregu të zhvilluar të parasë dhe të tregtimit të letrave me vlerë në vend, kufizon mundësitë e institucioneve financiare për të plotësuar nevojat e papritura për likuiditet, nëpërmjet shitjes së aktiveve të konsideruara si "likuide". Për shkak të krizës financiare në tregjet e huaja, është vështirësuar gjithashtu tregtimi për disa letra me vlerë, që më parë preferoheshin nga investitorët. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë vlerëson si të nevojshme hartimin e një ligji të vetëm dhe gjithëpërfshirës për marrëveshjet e kolateralit financiar. Së dyti, në diferencat në madhësinë e institucioneve në sektorin bankar, sasia dhe cilësia e kolateralit, si edhe kufizimet për ekspozimet e drejtpërdrejta mes institucioneve, vështirësojnë qarkullimin e fondeve likuide në tregun ndërbankar, në kohën dhe në madhësinë e kërkuar. Së treti, për shkak të rritjes së konkurrencës, ekziston rreziku i krijimit të mospërputhjeve të rëndësishme midis aktiveve dhe burimeve të financimit në bilanc, për sa i takon llojit të monedhës dhe afatit të maturimit.
Së katërti, disa nga institucionet i janë drejtuar gjithashtu, huamarrjes nga grupet bankare zotëruese, në një përpjekje për të ruajtur shpejtësinë dhe madhësinë e kreditimit. Së pesti, për shkak të faktorëve objektivë që kanë kushtëzuar në kohë mungesën e efeciencës, sektori bankar në vendin tonë ka pasur nivele mjaft të larta likuiditeti. Në kushtet e rritjes së konkurrencës dhe përmirësimit të efeciencës, është objektivisht e pritshme që treguesit e likuiditetit të vijnë në rënie. Këta faktorë, vështirësojnë përcaktimin e nivelit optimal të likuiditetit, në të cilin rritja e efeciencës në përdorimin e fondeve, nuk cenon aftësinë e institucionit për të përballuar rreziqet e veprimtarisë.

INSTAT: Rriten çmimet e ushqimeve në shtator

Gjatë muajit shtator çmimet e produkteve ushqimore kanë pësuar rritje në krahasim me muajin gusht. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikës, në vend Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shtator shënoi një rritje prej 1.1 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Ndryshimi vjetor në muajin shtator është 2.7 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 4.4 për qind. Sipas INSTAT-it, indeksi i grupit "Ushqime dhe pije jo alkoolike" shënoi një rritje prej 2.1 për qind. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 7.1 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Po ashtu rritje çmimesh ka pasur edhe për mishin, drithërat etj. Gjatë shtatorit çmimet e frutave kanë pësuar ulje. Indeksi i grupit "Komunikimi" shënoi një ulje prej 9.1 për qind, ulje kjo e shkaktuar kryesisht nga ulja e tarifave të telefonisë celulare me 13.4 për qind. Ndërsa indeksi i grupit "Argëtim dhe kulturë" shënoi një rritje prej 10.2 për qind. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të teksteve shkollore në masën 73.8 për qind. Rritja e çmimit të teksteve shkollore ka ardhur kryesisht si rezultat i uljes së masës së subvencionit nga 70 % që ishte në vitin 2007 në 50 % në vitin 2008.

BSH: Ku duhet pasur kujdes

• Mungesa e një tregu të zhvilluar të parasë dhe të tregtimit të letrave me vlerë në vend, kufizon mundësitë e institucioneve financiare për të plotësuar nevojat e papritura për likuiditet, nëpërmjet shitjes së aktiveve të konsideruara si "likuide".
• Diferencat në madhësinë e institucioneve në sektorin bankar, sasia dhe cilësia e kolateralit, si edhe kufizimet për ekspozimet e drejtpërdrejta mes institucioneve, vështirësojnë qarkullimin e fondeve likuide në tregun ndërbankar, në kohën dhe në madhësinë e kërkuar.
• Rritja e konkurrencës, rrezikon krijimin e mospërputhjeve të rëndësishme midis aktiveve dhe burimeve të financimit në bilanc, për sa i takon llojit të monedhës dhe afatit të maturimit.
• Disa nga institucionet i janë drejtuar gjithashtu, huamarrjes nga grupet bankare zotëruese, në një përpjekje për të ruajtur shpejtësinë dhe madhësinë e kreditimit.
• Sektori bankar në vendin tonë ka pasur nivele mjaft të larta likuiditeti. Në kushtet e rritjes së konkurrencës dhe përmirësimit të efeciencës, është objektivisht e pritshme që treguesit e likuiditetit të vijnë në rënie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›