E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Bojaxhi është vlerë, Berisha të mos ndikojë

 

ALFRED PEZA

Kandidati i vetëshpallur për PD-në e Tiranës, Besnik Mustafaj, flet për herë të parë për përballjen e mundshme me Gjergj Bojaxhiun, drejtorin aktual të KESH-it. Në një intervistë për "Ora News", ai hedh poshtë deklaratat e Kryeministrit Berisha, se Topi ka tentuar të formojë një minorancë bllokuese brenda PD-së.
Konkurrimi juaj, megji-thëse paksa i butë në aspektin publik, nuk është se ka kaluar në heshtje brenda strukturave të PD-së, kemi parasysh këtu faktin që një tjetër kandidat është vetëshpallur, zoti Gjergj Bojaxhi, drejtori aktual i KESH-it. Si e vlerësoni ju këtë?
Unë nuk e kam dëgjuar zotin Bojaxhi të ketë deklaruar publikisht se do të jetë kandidat për kryesinë e PD-së së Tiranës, por unë mendoj se zoti Bojaxhi është një vlerë në PD dhe unë do të mendoja nëse do të ishte zoti Bojaxhiu, unë do jem i sigurt, pavarësisht nëse rezultati do të jetë në favorin tim apo të zotit Bojaxhi, fushata do të jetë shumë moderne, fushata do të jetë shumë qytetare, do të jetë një gjë krejtësisht e re në jetën e partive në Shqipëri kjo lloj fushate. Pasi do të jetë një ballafaqim platformash, do të jetë e qytetëruar, do të jetë civile, nuk do të ketë banalitet, unë mendoj me aq sa e njoh zotin Bojaxhiu. Kështu që, nisur nga kjo, ky vlerësim që unë kam për personalitetin e tij, vlerësoj që nëse do të ishte zoti Bojaxhi fushata do të ishte shumë serioze, do të ishte në të mirë të partisë, pavarësisht se njëri nga të dy do të humbë. Unë besoj se do të fitoj, por pavarësisht nga kjo, përsëri unë mendoj se PD-ja në rivalitetin e saj brenda në konkurrencë, brenda personaliteteve të saj duhet të fusë një frymë të re moderne. Unë ndjehem i gëzuar me një aspekt, thjesht kandidimi im. Gjithsesi ka dhënë tharmet e një fenomeni të ri në PD. Ke një numër kandidatësh që kanë dalë nëpër rrethe, gjë e pandodhur më parë. Ke kandidatë në qytete të mëdha që janë vetëshpallur nën këtë lloj filozofie si edhe unë, pas meje, ke në Durrës, ke në Elbasan, me siguri duhet të ketë edhe në Shkodër, duhet të ketë në Korçë, ka në Vlorë me sa më kanë thënë. Por unë mendoj që në këtë kuptim se i bëra një shërbim PD-së edhe me këtë shembull që dhashë, sepse kuptohet qartë që në PD ka hapësira të konkurrohet edhe me iniciativën individuale.
Të gjithë kanë pritur këtë kohë, prononcimin e zotit e Berisha në lidhje me kandidimin tuaj dhe me garën. Por, në fakt, ai ose ka heshtur, ose i është shmangur një përgjigje të prerë dhe të qartë. Madje në një ballafaqim televiziv të para pak ditëve unë e pyeta drejtpërdrejtë për kandidimin tuaj dhe i thashë nëse ai do ju konsideronte ju në këtë garë si partner apo si kundërshtar, gjithsesi edhe në këtë rast zoti Berisha u shmang. Si e vlerësoni qëndrimin e deritanishëm?
Unë nuk pres që zoti Berisha të ketë një qëndrim as ndaj meje, edhe as ndaj kandidatëve të tjerë, sepse ne do të kemi një garë brenda PD-së, pra ne nuk do të kemi një garë që do të ketë rival brenda zotin Berisha. Unë besoj se ai do të mbajë një distancë të barabartë nga të gjithë kandidatët. Por ajo që më shqetëson mua në këtë qëndrim të zotit Berisha nuk ka të bëjë me mua, por ka të bëjë me PD-në. Çka do të thotë se unë shoh një indiferencë, një nënvleftësim nga zoti Berisha dhe nga kryesia e PD-së për zgjedhjet në parti. Zgjedhjet në parti janë një moment shumë delikat dhe shumë kulmor në jetën politike të një partie. Pse e them këtë? Zgjedhjet në parti janë një moment bilanci. Pra, çdolloj bilanci shoqërohet me konkurrencë, me reformë njerëzish. Që do të thotë se ata që nuk kanë përmbushur angazhimet në krye të strukturave të PD-së, do të zëvendësohen me të tjerë. Pra, dalje njerëzish të tjerë. Së dyti, është një moment reflektimi i thellë dhe po të kemi parasysh se këto zgjedhjet në parti janë në prag të fushatës së përgjithshme, atëherë ky reflektim brenda partisë bëhet akoma më jetik për fatin e zgjedhjeve të ardhshme, sepse duke qenë një moment reflektimi do të analizohen gabimet, do të pozitivohen vlerat, do të shtohen vlera të tjera dhe është një moment programor, sepse do të shqyrtohet programi me të cilin erdhi deri këtu partia, do të pasurohet ky program për të përgatitur programin me të cilin PD-ja do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme, jo Qeveria. Partia është në demokraci mekanizmi politik me të cilin shkohet në zgjedhje. Pra duke pasur parasysh të gjitha këto aspekte që kanë të bëjnë me fatin e zgjedhjeve të ardhshme, por me fatin e vetë të PD-së, mua më duket e pajustifikuar indiferenca që tregon, shpërfillja që tregon zoti Berisha ndaj zgjedhjeve.
Ju sapo përmendët pak më sipër se zoti Berisha do të bënte mirë të ishte i paanshëm në garën për kreun e PD-së, ashtu sikundër dhe për garat për krerët e seksioneve apo të elementëve të tjerë drejtues të PD-së në rrethe. Por, pyetja që shtrohet se gazetarët gjithmonë bëjnë avokatin e djallit. Pyetja është nëse zoti Berisha do të nxirrte një kandidat të vetin apo do të mbështeste publikisht njërin nga kandidatët. Ju si do të veproni dhe si do të silleshit politikisht në këtë rast?
Unë do të vazhdoja fushatën. Por unë nuk besoj që zoti Berisha do ta bëjë këtë gabim. Do të ishte një gabim në radhë të parë për fushatën, sepse do ta deformonte dhe zoti Berisha si kryetar i PD-së me mandat të pavënë në diskutim nga askush, nuk ka asnjë interes ta dëmtojë fushatën, ta deformojë fushatën, ta deformojë garën brenda partisë. Së dyti, nëse rrimë gjakftohtë, pra nëse abstragojmë për një moment sikur unë po flas për momentin si njëri nga kandidatët, nëse zoti Berisha do të merrte anë në mënyrë të pashmangshme me ndonjë nga rivalët e mi, në mënyrë të pashmangshme dua s'dua unë, në perceptimin e përgjithshëm të opinionit publik do të ishte si një rivalitet midis meje dhe zotit Berisha. Çka nuk është as realiste, sepse nuk ka asnjë rivalitet midis meje dhe zotit Berisha dhe shtyrja e perceptimit të kësaj fushate si një rivalitet midis meje dhe zotit Berisha do të ishte e gabuar, nuk do të ishte realiste. Së dyti, nuk do të ishte as në interes të zotit Berisha, po të marrim shkurt kryetarin e partisë që të perceptohet në opinionin publik, pra edhe tek demokratët e bazës, se ka një rivalitet brenda strukturave të PD-së, përderisa nuk ekziston ky rivalitet.
Pak ditë më parë zoti Berisha sërish në një debat televiziv tha se zoti Topi tani që është President i Republikës është munduar të krijojë një minorancë bllokuese brenda maxhorancës. Ju e ndjeni këtë?
Unë e dëgjova këtë, e ndoqa zotin Berisha kur e bëri një deklarim të tillë. Ua them me sinqeritet, juve dhe nëpërmjet jush dhe komplet teleshikuesve të televizionit "Ora", në asnjë moment që kam pasur me zotin Topi nuk më ka sugjeruar ose nuk më ka kërkuar qëndrime që duhet të mbaja unë si deputet në Parlament. Unë nuk njoh asnjë nga njerëzit me të cilët rri, po flas intimët e mi brenda grupit apo brenda grupeve parlamentare të maxhorancës, nuk di asnjë që të ketë marrë një mesazh të tillë nga zoti Topi dhe nuk më duket në natyrën e zotit Topi, por unë nuk e di se çfarë informacionesh ka zoti Berisha.
Pra ju nuk keni qenë pjesë e kësaj minorance...?
Unë e përsëris edhe njëherë, nuk kam marrë asnjë mesazh nga zoti Topi, as tani, as më parë, as nuk e di cilit rast i referohet zoti Berisha. Unë s'kam marrë asnjë mesazh në asnjë rast nga zoti Topi se duhej të votoja pro apo kundër një gjëje, që në ditën që ai është bërë President, marrëdhëniet e tij me mua dhe me ndonjë nga miqtë e mi që e kanë takuar, por me asnjë nga ata miqtë e mi që kanë pasur rastin ta takojnë apo të komunikojnë me të, nuk kanë marrë ndonjëherë ndonjë mesazh. Në analizë të përgjithshme mua zoti Topi nuk më duket që është nga ata që mund të ndërmarrë veprime të tilla.
Po nëse ju humbni në garën për kreun e PD-së së Tiranës, si do veproni, do të qëndroni brenda strukturave të PD-së, do të largoheni nga politika apo do të ndiqni rrugën e disa të tjerëve që kanë qenë brenda PD-së, siç është zoti Ceka, si i ndjeri Kalakula, si zoti Pollo, të cilët krijuan parti?
Unë nuk largohem nga PD-ja. Unë jam njeri që i pranoj humbjet, kur humbjet janë pjesë e një procesi të ndershëm. Unë jam një njeri që besoj se parimet janë më të rëndësishme se rezultati. Pra, unë këtë fushatë do të përpiqem ta mbështes në parime sa më të shëndosha. Por edhe nëse nuk do të kem një mendim shumë pozitiv për fushatën, pra çka shumë njerëz e kanë frikë se mund të deformohet fushata, unë s'e kam këtë frikë. Përsëri unë do të jem pjesë e Partisë Demokratike.
Po nëse zoti Berisha nuk ju fut në listë?
Unë nuk besoj se do të ndodhë kjo gjë, por edhe nëse zoti Berisha nuk më fut në listë, përsëri do të jem anëtar i Partisë Demokratike.
Do ta filloni nga e para si anëtar i thjeshtë?
Unë jam anëtar i thjeshtë i PD-së, jam edhe deputet, por jam edhe anëtar i thjeshtë. Pra, në këtë kuptim nuk ka vetëm rifillim, por ka edhe vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›