E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hrushovi kërkon dorëheqjen e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Henry Shapiro, korrespondent i shërbimit të jashtëm të “Uashington Post”, Moskë

Moskë, 28 tetor 1961 – Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita S. Hrushov, kërkoi sot dorëheqjen e “Kryeministrit stalinist” dhe udhëheqësit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhës, si çmim për të zgjidhur grindjen me Shqipërinë. Hrushovi nuk i pranoi kritikat komuniste kineze për sulmet e hapura mbi Presidentin e Shqipërisë dhe Kryeministrin Mehmet Shehu dhe caktoi kushtet e sovjetikëve në një fjalim drejtuar dje Kongresit të 22-të të Partisë Komuniste të BS-së. Por fjalimi i mbajtur ditën e djeshme në një seancë të mbyllur, u bë publik vetëm ditën e sotme. “Për t i dhënë fund kultit të personit, Shehu, Hoxha dhe të tjerët duhet të heqin dorë nga pozicionet e tyre drejtuese në parti dhe qeveri”, - tha Hrushovi. “Ata nuk urojnë që kjo të ndodhë. Por ne jemi të bindur se do të vijë koha kur komunistët dhe populli shqiptar do të thonë fjalën e tyre dhe pastaj udhëheqësit shqiptarë do të jenë të detyruar t u përgjigjen për të këqijat që i kanë bërë vendit dhe për ngritjen e socializmit (komunizmit) në Shqipëri”. Kryeministri kinez, Çu En Lai, në një fjalim përpara kongresit më herët, kishte paralajmëruar kundër larjes së teshave të kuqe në publik. Çu e quajti dënimin publik të shqiptarëve një “qasje jomarksiste”. Në një nga deklaratat më të papritura që ka bërë më parë gjatë grindjes, Hrushovi sfidoi virtualisht udhëheqësit e Pekinit për të ndalur mbështetjen e tyre ndaj tradhtarëve shqiptarë. Ai tha se, nëse komunistët kinezë i kishin me të vërtetë thirrjet për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe kampit të Bashkimit Sovjetik, “nuk ekziston askush që mund të kontribuojë për një zgjidhje të këtij problemi më mirë se sa Partia Komuniste e Kinës”. Hrushovi kritikoi Hoxhën e Shehun dhe akuzoi regjimin shqiptar se po terrorizonte vendin dhe po përdorte metodat diskredituese dhe të ashpra të Stalinit. Fjalimi kryesor në seancën e sotme të kongresit u mbajt nga Sekretari i Komitetit Qendror të PKBS-së, Frol Kozllov, i cili përsëriti kritikat e bëra nga Hrushovi dhe folësit e tjerë të grupit “antipartiak” të ish-ministrit të Jashtëm sovjetik, Molotov, ish-kryeministrit, Malenkov dhe Llazar Kaganoviçit. Kozllovi bëri thirrje gjithashtu edhe për atë që ai e quajti lëvizjen e burokratëve të papërgjegjshëm dhe të dalë mode nga pozicionet e besueshme dhe hapjen e anëtarësisë së partisë për njerëzit që janë me të vërtetë të përkushtuar dhe të aftë. Sekretari i Komitetit Qendror tha se grupi “antiparti” kishte komplotuar për të risjellë praktikat staliniste. Ai kërkoi që ata të urdhëroheshin të jepnin llogari për të gjithë aktivitetin e tyre. Ai e bëri këtë thirrje gjatë një rishikimi të një drafti të rregullave të partisë që drejtonin sjelljen dhe detyrat e komunistëve. Drafti parashikon zëvendësimin e herëpashershëm të zyrtarëve të partisë. Ai bën thirrje për zëvendësimin e një të katërtës së anëtarësisë së drejtuesve të Komitetit Qendror dhe të presidiumit në çdo zgjedhje, çdo katër vjet. Presidiumi përbëhet nga 15 anëtarë me të drejta të plota dhe 9 kandidatë (zëvendësues). Komiteti Qendror ka gjithsej 133 anëtarë dhe 122 kandidatë. Kandidatët marrin pjesë në të gjitha diskutimet, por nuk kanë të drejtë vote. “Ne duhet të kemi forca të reja dhe zyrtarë të aftë për të marrë iniciativën”, - tha Kozllovi. “Ne duhet të lirojmë me vendosmëri organet e partisë sonë drejtuese nga njerëzit që kanë ngulur veten e tyre shumë fort, që e konsiderojnë veten e tyre të pazëvendësueshëm, që kanë ndaluar të rriten dhe që nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe sot mbajnë pozicionet kyçe drejtuese. Ne theksuam sidoqoftë se “udhëheqës të aftë dhe me eksperiencë mund të zgjidhen për periudha më të gjata nëse ata “marrin të paktën tre deri në katër vota të organizatës, të ofruara nga votimi i fshehtë”. Kozllovi tha se anëtarët do të jenë të lirë të diskutojnë çdo çështje që ka të bëjë me politikën ose aktivitetin e partisë. Por takimet nuk duhet të zhvillohen në “debate shterpë me tekat e një grupi të vogël njerëzish të hutuar dhe të papjekur”. Për sa i përket Shqipërisë, Kozllovi tha se heshtja në këtë debat do t i inkurajonte njerëzit të vazhdonin veprimet e tyre zhgënjyese dhe antileniniste. Bashkimi i vërtetë mes partive komuniste është i mundur vetëm në “parimet marksiste-leniniste” dhe jo “duke kaluar në heshtje rrugën shkatërrimtare të udhëheqjes shqiptare”, - tha ai. Udhëheqësi komunist i Gjermanisë Lindore, Valter Ulbriht, do të ketë nderin së bashku me Hrushovin të zbulojnë statujën e Karl Marksit gjatë një ceremonie ditën e diel. Hrushovi pritet që të mbajë dhe një fjalim parimor për t ia lënë më pas radhën Ulbrihtit.
Hrushovi dëshiron një monument për viktimat e Stalinit
Sekretari i Parë, Hrushov, ka sugjeruar ngritjen e një monumenti në Moskë për të “përjetësuar shokët, të cilët u shndërruan në viktima të dhunës” gjatë regjimit të Stalinit. Ai e bëri këtë sugjerim gjatë një fjalimi ditën e djeshme. Hrushovi renditi “leninistët e përkushtuar”, të cilët o ishin vrarë nga policia sekrete, ose kishin vdekur në kampet e burgjeve. “Kongresi, - tha ai, mendon se kujtimi i shquar i udhëheqësve të partisë dhe shtetit, viktima të shtypjes pa shkak , duhet të përjetësohet”. “Ne mendojmë se kjo është e drejtë”, - shtoi ai. Hrushovi tha se kishte delegatë në holl, të cilët kishin kaluar vite të tëra në kampet e burgjeve si pasojë e spastrimeve. Ata ishin “bindur”, se ata ishin britanikë, gjermanë ose ndonjë lloj tjetër spiuni”, - tha Hrushovi. Ai tha gjithashtu se viktimat e Stalinit ishin me mijëra. Propozimi për një monument u hodh për herë të parë nga një grup i vjetër bolshevikësh. Udhëheqësi i Partisë Komuniste i tha gjithashtu kongresit se ai e kishte siguruar Llazar Kaganoviçin, që nuk do të burgosej ashtu siç Stalini kishte hequr qafe ata që e kishin kundërshtuar. Kaganoviçi, një mik i vjetër i Stalinit, i kishte telefonuar Hrushovit dy ditë pasi ishte përjashtuar nga Komiteti Qendror i Partisë në qershor të vitit 1957. Hrushovi tha se Kaganoviçi i kishte thënë: “Shoku Hrushov, unë ju kam njohur prej shumë vitesh. Unë po ju kërkoj që të mos i lejoni ata të veprojnë me mua ashtu siç ndodhte në ditët e Stalinit”. Hrushovi u komentoi delegatëve: “Kaganoviçi e dinte se si njerëzit trajtoheshin në ato ditë, sepse ai ishte vetë një nga ata. Unë iu përgjigja: “Shoku Kaganoviç, fjalët e tua konfirmojnë edhe një herë tjetër metodat që ju mendonit për të përdorur që të arrinit qëllimet tuaja të ulëta. Ju donit ta rikthenit vendin në gjurmët që ekzistonin gjatë kultit të personit. Ju donit të përdornit raprezaliet kundër njerëzve. Ju dhe masat e tjera të marra sipas politikave tuaja janë të gabuara. Ne do përkrahim me vendosmëri dhe do të vazhdojmë të mbështesim parimet leniniste. Juve do t iu jepet punë, do të jetoni dhe punoni i qetë, nëse do të jeni i ndershëm”. Hrushovi tha se ka nisur një hetim për vrasjen e kryetarit të partisë së Leningradit, Sergei Kirov, në vitin 1934, vrasje që shërbeu si shkak për spastrimet në masë të Stalinit në vitet 1930.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›