E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë, zbulohet rrjeti i trafikut Shqipëri-Greqi

OPERACIONI/ Policia ka arritur të vërë në pranga katër persona të moshës 18-24 vjeç, në kërkim organizatori

GJIROKASTËR- Një tjetër sasi lëndësh narkotike e destinuar për në shtetin grek është sekuestruar nga policia kufitare, ndërsa në pranga kanë përfunduar katër persona të dyshuar si pjesë e një rrjeti që merrej me trafikimin e drogës. Por, megjithë arrestimet, burimet zyrtare të policisë shprehen se po vazhdojnë të kërkojnë personin i cili dyshohet të jetë edhe pronari i sasisë prej 101 kilogramësh lëndë narkotike, duke e çuar kështu në 370 kilogram shifrën e drogës së sekuestruar në kufi vetëm përgjatë një muaji.

Trafiku i lëndës narkotike është konstatuar nga shërbimet e policisë kufitare të stacionit të Kakavijës. Burime zyrtare shprehen se në vendin e quajtur Kthesa e Çeçemit, në aksin rrugor Vrisera- Llongo, në afërsi të fshatit Llongo, është konstatuar një automjet, i cili lëvizte me ngadalë në drejtim të kufirit. Menjëherë, agjentët e policisë janë afruar, por personi që drejtonte automjetin, pasi i ka parë, ka devijuar rrugën, duke u futur anës lumit në disa rrepishte. Aty ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira dhe mjegulla është larguar me shpejtësi. Ndërkohë, patrulla e policisë, megjithëse ka bërë rrethimin e zonës, nuk ka mundur të vërë në pranga autorin e trafikut. Ndërsa në vendngjarje grupi hetimor i ngritur për këtë çështje, ka konstatuar në mes të rrepishteve në anën e lumit, një automjet veturë tip “Nisan Micra” me targa TR 8710 L, të mbyllur, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Në brendësi të mjetit policia ka konstatuar 4 çanta të mëdha shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë, ku secila pako varionte nga 5,5 deri në 6 kilogramë. Gjithsej u evidentuan dhe u sekuestruan 101 kilogramë lëndë narkotike.

Rreth 20 orë pas kapjes dhe sekuestrimit të drogës, policia e Gjirokastrës ka mundur të vërë në pranga 4 vetë të përfshirë në këtë trafik, ndërsa në kërkim vazhdon të jetë autori kryesor. Arrestimet u kryen pas kontrolleve të bëra në vijëne kufirit dhe në akset rrugore në zonën Jorgucat, Kakavijë, Vrisera, Koshovicë, në aksin rrugor Vrisera – Llongo. Kështu u ndaluan Klevin Tomorri, 24 vjeç, Andi Nazëraj, 18 vjeç, Ervin Saliaj, 24 vjeç dhe Shkëlzen Lamçe, 24 vjeç, të gjithë lindur dhe banues në fshatin Kuman të rrethit Fier. Këta persona akuzohen se gjatë orëve të para të mëngjesit do të bënin transportin e sasisë së lëndës narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër për në shtetin grek. Sipas policisë, “ata ishin rekrutuar nga shtetasi Ervin Myqerem Hoxha, i datëlindjes 1982, lindur dhe baunes në Kuman të rrethit Fier, i cili është organizatori kryesor i trafikuttë kësaj lënde narkotike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›