Zhduket tregtari, asnjë pistë për fatin e tij
ELBASAN - Një tregtar veshjesh është zhdukur pa asnjë gjurmë që nga e premtja paradite, pasi është parë të largohet me urban nga qendra e qytetit. Hekuran Latollari, 44 vjeç, me banim në Elbasan, baba i dy fëmijëve, tregtar veshjesh që nga viti 1993, ishte duke marrë një dyqan me qira, pasi donte të largohej nga tregu aktual i veshjeve poshtë kryqëzimit të Cërrikut. Ditën që është zhdukur ai ka dalë nga shtëpia, ka shkuar tek i vëllai ku edhe ka lënë çelësat e makinës dhe të dyqanit me qira, dhe është larguar. Në afërsi të bashkisë në qendër të qytetit, i fundit që e ka takuar ka qenë një shok i tij dhe mësohet se e kanë parë teksa kishte hipur në urbanin e linjës që të çonte poshtë urës së Shkumbinit. Nga ai moment, askush nuk di të thotë gjë për fatin e 44- vjeçarit.
Denoncimi
Vëllai i tij, Ferdinandi, ka bërë denoncim në polici për zhdukjen e tij dhe me anë të të afërmve është interesuar si brenda vendit, ashtu dhe në Greqi, por nuk ka mësuar asgjë të re. Ai tregon se vëllai i tij është një njeri shumë i rregullt, por që ishte edhe një tip i mbyllur dhe se nuk fliste shumë për veten e tij. Ai shton gjithashtu se kohët e fundit ai dukej pak i mërzitur, por nuk fliste për këtë gjë. As në familje ai nuk ka thënë asnjë fjalë që të çon në ndonjë veprim të tij. Po kështu deklarohet se nuk ka ndonjë hasmëri apo sherr që mund të ishte një pistë e mundshme për zhdukjen e tij. Sipas të dhënave të para ai nuk ka pasur para me vete, ndërsa për probleme ekonomike ato nuk ishin për t’u shqetësuar pasi familja kishte marrë një apartament të ri dhe ai kishte që në fillimet e demokracisë që punonte si tregtar. Edhe një shok i punës tregon se Ferdinandi kishte vendosur të largohej nga tregu, pasi nuk shikonte ndonjë fitim aty dhe kishte vendosur të merrte një dyqan me qira më sipër. Edhe shoku i punës tregon se kohët e fundit ai dukej i mërzitur, megjithëse fliste shumë pak për veten.
Hetimet
Kërkimet për gjetjen e tij deri tani nuk kanë sjellë asgjë të re. Edhe denoncimi në polici nuk ka zbardhur ndonjë pistë për zhdukjen e 44-vjeçarit. Një nga pistat e mundshme është ajo e vetëvrasjes, por mbi këtë version nuk ekziston asnjë prove, megjithëse ai ka braktisur gjithçka, duke u larguar poshtë urës së Shkumbinit. Kërkimet për gjetjen e tij vazhdojnë prej dy ditësh, por deri tani familja nuk ka mësuar shumë mbi atë që i ka ndodhur Ferdinandit.