E Diel, 1 Nëntor 2026

Dua prindër të rinj

Raporti me prindërit, me gjyshërit. Pjesa më e madhe dëshirojnë prindër të rinj. Një orë mësimi Edukatë Qytetare. Nxënësit rrëfejnë familjen e tyre, problemet e thella ekonomike, sociale, si edhe dëshirën për të qenë ndryshe 

“Babai im është deputet. Ai punon gjithë ditën. Unë e ndjej shumë mungesën e tij. Unë do të të doja që ai të mos ishte deputet. Do të doja të kishte një profesion tjetër”. Rosalinda është bija e një deputeti të njohur në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo ndjek mësimet në klasën e 5-të D, në shkollën 9-vjeçare “1 Maji”, në Tiranë. Mësuese Genta e ka vendosur në bankën e parë, jo për hir të statusit që gëzon babai i saj, por për brishtësinë që Rozalinda karakterizon në klasë. Ajo është gjithmonë një vajzë e ndrojtur, fjalëpakët, por e saktë në ato që përpiqet të thotë. Tema e bisedës në orën e Edukatës Qytetare është familja. Nxënësit mezi presin të shprehen. Në tema të tilla shoqërore mësuesit e kanë shumë më të lehtë të komunikojnë me nxënësit, të njohin botën e tyre, të shikojnë në këndvështrimin e tyre ato copëza të jetës familjare që shpeshherë neglizhohen nga të rriturit. Familja nuk mund të jetë kurrsesi e ndarë nga shkolla. E kundërta, edukimi, nuk mund të cilësohet kurrë i shkëputur nga ambienti familjar ku nxënësit rriten. Mësuese Genta rrotullohet herë pas here në klasë. Nxënësit e ndjekin me sy në çdo cep ku ajo lëviz. Ndërsa shpjegon disa nga llojet e familjeve shqiptare, ajo kërkon të dijë nga nxënësit se në cilën prej tyre ata dëshirojnë të jetojnë. Debati ndizet menjëherë. Një pjesë e mirë e nxënësve nuk dëshirojnë të jetojnë në familje me shumë anëtarë e aq më pak në familje patriarkale ku komandon më i moshuari. Madje ka edhe nga ata që nuk duan të kenë gjyshër në shtëpitë e tyre, diçka kjo e çuditshme, po të kihet parasysh mosha dhe afrimiteti që ata kanë me moshën e tretë. “Unë jetoj me gjyshin dhe gjyshen. Unë do të doja që prindërit e mi të ishin të ndarë nga ata”, - thotë Olta. “Po përse dëshiron që gjyshërit e tu të jetojnë të ndarë nga familja ku t’i jeton”. Nxënësja e ka përgjigjen në majë të gjuhës: “Sepse ata grinden me mamin”. Kaq mjafton dhe nxënësit marrin kurajo. Klasa ndahet në dy fronte të fuqishme; pro dhe kundra gjyshërve. Gjithsecili jep argumentin e tij ashtu si e mendon. Jonuzi, nga nxënësit më të aktivizuar në debat thotë se “familja e tij jeton ngushtë”. “Unë dua të kem një banesë të madhe. Unë i dua gjyshërit, por shtëpia ku unë jetoj është e vogël”. Mësuese Genta kërkon mendimin alternativ. Shpejt disa duar ngrihen mbi kokat e shokëve dhe kërkojnë të marrin fjalën. “Unë do dëshiroja të kisha gjyshërit në shtëpi. Unë i dua ata. Prej disa muajsh gjyshërit e mi janë shkëputur nga familja ku unë jetoj”, - thotë një nxënës në bankën e fundit. Ekonomia familjare, problemet ditore, nuk kanë si të ngelen jashtë vëmendjes së nxënësve. Pjesa më e madhe e tyre kanë të paktën njërin nga prindërit pa punë. Jonuzi çohet sërish në këmbë. Kërkon me instistim të marrë fjalën. “Po, Jonuz”. “Babai im është këpucar. Ai punon gjithë ditën, nga mëngjesi deri në darkë për të ushqyer familjen. Mamaja ime është shtëpiake, ndërkohë që ne jetojmë me të ardhurat që sjell babai”. Mësuese Genta u kujton nxënësve se duhet të sillen mirë me prindërit. Duhet të kuptojnë sakrificën që ata bëjnë për t’i rritur sa më mirë. Shkëlqimi qëndron ulur në bankën e tretë nga rreshti i dritareve. Ai nuk e ka njohur kurrë babain e tij. Nuk e përmend një fakt të tillë, qoftë edhe kur bisedon me shokët dhe shoqet e klasës. Mësuese Genta përpiqet të jetë jo vetëm edukatore, por edhe nënë. Ka momente gjatë orës së mësimit kur nxënësit ndihen keq. Ata i përjetojnë më shumë se kushdo fenomenet që ndodhin në ambientin familjar. Dhuna, mungesa e komunikimit, gjendja jo e mirë ekonomike, janë elementë që mund të sjellin emocione të forta negative, të cilat pa u ndjerë transmetohen edhe në orën e mësimit. Mjafton një moment dobësie dhe nxënësi që përjeton drama të tilla shpërthen në lot. Këto faktorë ndikojnë edhe në formimin e tij të mëtejshëm. Vihen re rënie në mësime, mungesë dëshire për të marrë përsipër detyrat që i ngarkohen, sjellje jo të mira me shokët e shumë elementë të tjerë që ndikojnë në mbarëvajtjen e tij. Kur flasin për familjen nxënësit nuk kanë së ngopuri. Në një mënyrë, ose tjetër ata janë shumë më të çiltër se dhe vetë të rriturit, kur vjen fjala për të biseduar për problemet që i shqetësojnë. Nëse një prind do t’i dëgjonte gjatë orës së mësimit do të thoshte se: “na nxorën bojën”. “Po mua babai më ka shkulur veshët. Unë dua më shumë mamin”. Kur vjen fjala për dashuri prindërore, klasa ndahet në bazë të gjinisë. Vajzat duan më shumë baballarët, ndërsa djemtë lënë kokën pas mamave. “Po a dëshironi ju të kishit prindër të tjerë nga ato që kini në shtëpi”. Përgjigja është shokuese, por e sinqertë. Askush nuk ka të drejtë t’i paragjykojë. Në fund të fundit, para se të jenë nxënës, ata janë fëmijë. “Po, unë do të doja t’i ndryshoja prindërit. Ata nuk sillen mirë me mua”. “Po edhe unë dua t’i ndryshoj. Do të doja të kisha një baba tjetër që të më sigurojë më shumë të ardhura ekonomike”. “Babai im nuk ka marrëdhënie të mira në familje. Ai grindet shpesh me mamin. Për këtë arsye unë do të doja të kisha prindër të ndryshëm”. Po ka edhe nga ata që nuk duan t’i ndryshojnë prindërit, qofshin këta edhe jo të mirë, për asnjë arsye në botë. “Babai im është inspektor krimesh. Unë dua t’i ngjaj. Por ai më thotë që jo, pasi kështu nuk do të jesh kurrë një familjar i mirë, pasi do të duhet të punosh orar e pa orar”, - thotë një nxënëse kur e pyesin nëse do të donte t’u ngjante prindërve ose jo. “Unë nuk dua t’i ngjaj babait tim”, - ia pret Jonuzi. Unë nuk dua të bëhem këpucar si ai. Dua të arsimohem, të jem me shkollë të lartë”. Mësuese Genta përpiqet në këtë rast të kuptojë edhe pozicionin e nxënësve. Është e lehtë të kundërshtosh. Është e lehtë t’i thuash një nxënësi: “Kjo gjë nuk shkon”. Mund t’i thuash kështu deri në momentin që nuk njeh jetën e tij familjare, prejardhjen, problemet ekonomike, sociale. Por nëse arrin të depërtosh sadopak në botëkuptimin e tij, atëherë fillon e ndërgjegjësohesh se familja nuk është institucion i shkëputur nga shkolla. Përkundrazi është bërthama që ndikon pozitivisht, ose negativisht në formimin e individit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›