E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtet e Beogradit për EULEX nuk komentohen në Bruksel

Në Bruksel nuk është komentuar deklarata e Pierre Mireldhënë gjatë takimeve të tij në Beograd. Kohë më parë, deputetë të Parlamentit Evropian kanë kërkuar të sqarohet roli i EULEX-i dhe të mos lejohet që ai të ndihmojë ndarjen e Kosovës apo ndonjë zhvillim që do çonte nga ndarja. Informacioni, sipas të cilit Bashkimi Evropian është i gatshëm të miratojë kushtet kryesore të Beogradit për vendosjen e EULEX-i në Kosovë, nuk është konfirmuar në Bruskel.

Agjencia e lajmeve “Asociated Press”, citoi drejtorin për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, i cili u shpreh se "Bashkimi Evropian do të pajtohet me kërkesën që EULEX-i të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe të mbetet neutral në raport me statusin e Kosovës".

Sipas agjencisë Asociated Press, Pierre Mirel, ka shtuar se "Bashkimi Evropian gjithashtu pajtohet që misioni EULEX të mos i referohet planit të Martti Ahtisaarit" Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, përmes një komunikate, ka thënë se "komentet që i janë mveshur zyrtarit të Komisionit Evropian nuk paraqesin qëndrim zyrtar të Bashkimit Evropian".

Në Bruksel nuk ka pasur zyrtarë që publikisht kanë dashur të komentojnë këtë deklaratë, duke thënë se duan të presin dhe të shohin se çfarë ka ndodhur në këto takime të Pierre Mirelit në Beograd. Por, disa zyrtarë në Bashkimin Evropian pohojnë se janë duke vazhduar përpjekjet për të gjetur formulën e pranueshme që do të mundësonte dislokimin e misionit të EULEX-it në tërë teritorin e Kosovës dhe se për BE-në afati i fundit për këtë çështje do të jetë dhjetori. /INA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›