Dua të rri në Inter

Wesley Sneijder nuk e ka ndërmend të largohet nga Interi. Mesfushori holandez ka thënë se do të largohet nga Nerazzurrët vetëm nëse këta të fundit vendosin ta shesin atë.
Përfaqësuesi holandez vlerësohet 40 milionë euro dhe flitet me të madhe se këtë javë mund ta lë Italinë. Manchester United dhe Malaga janë duke e kërkuar me ngulm ish futbollistin e Ajaxit dhe Real Madridit.
“Do të dëshiroja të rrija këtu. Kam shokë të skuadrës të shkëlqyeshëm. Zanetti ka karakter të jashtëzakonshëm, ai na mban neve së bashku dhe në kohën kur morali bie. Gruaja ime Yolanthe dhe unë e duam Interin, fansat italianë dhe Italinë. Natyrisht, nëse klubi vendos të më shesë, unë do të shkoj kudo që më thonë të shkoj. Por, do të isha i zhgënjyer”, tha Sneijder për magazinën italiane ‘Vanity Fair’.
Edhe pse është i dashuruar në Interin dhe në qytetin e Milanos, Sneijder e pranon se në futboll gjërat mund të ndryshojnë brenda ditës. Edhe kur luante në Real Madrid, ai preferonte të mbetej në Spanjë, por ishte transferuar në Inter.
Sneijder iu bashkua Interit në vitin 2009, duke e ndihmuar këtë ekip ta fitojë Ligën e Kampionëve, Serie A dhe Kupën e Italisë, në sezonin e parë të tij në futbollin italian. Lëndimet e shumta ia pamundësuan nënkampionit të botës me Holandën, që të luante me intensitet të njëjtë edhe sezonin që shkoi.