“Duam 3 pikët, Fortunat i ‘paligjshëm’”
• Pasi kanë zbuluar se lojtari i aktivizuar me Besën në përballjen e së shtunës, Herby Fortunat, është zyrtarisht pjesë e një tjetër skuadre në njëkampionat të huaj, drejtuesit e Skënderbeut duke menduar se e drejta është në favorin e tyre, pretendojnë të përfitojnë 3 pikët në tavolinë. Tri pikë që do t’i dhuronin ekipit të Skënderbeut një fitore, e cila ditën e shtunë u sigurua nga kavajasit. Një ndryshim prej 180 gradësh brenda vetëm pak orësh, që të paktën sipas pretendimeve të drejtuesve korçarë, do të flasë në favor të Skënderbeut. Korçarët kanë mësuar se aktivizimi i Fortunat si titullar në formacionin e Besës gjatë ndeshjes së të shtunës kundër tyre ka qenë krejt i parregullt. Sipas trajnerit të ekipit korçar, Renato Rapo, mësohet se është zbuluar në rrethana rastësore që Herby Fortunat rezulton njëkohësisht të jetë edhe pjesë e një tjetër skuadre në një kampionat të huaj. Gjë kjo që ndalon kategorikisht aktivizimin e tij në të njëjtën kohë në kampionatin shqiptar. Në këto kushte ditën e hënë, drejtuesit e skuadrës së Skënderbeut mësohet se do të nisin një kërkesë zyrtare në FSHF për të kërkuar tri pikët në tavolinë.