E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria të nxjerrë një ligj për hetimin e ndeshjeve të futbollit”

• Nuk ekziston asnjë dispozitë e posaçme në Kodin Penal që ka të bëjë me hetimin e aktiviteteve sportive dhe ky është një handikap shumë i madh nëlegjislacionin shqiptar, përsa i përket mbarëvajtjes dhe korrektësisë së aktiviteteve sportive në Shqipëri. Arrestimet e një grupi trafikantësh shqiptarë në Itali, të cilët akuzoheshin se financonin para në futbollin shqiptar, kanë nxitur Shoqatën e Prokurorëve dhe Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve për të bërë të ditur se këto ngjarje nuk mund të jenë më biseda kafenesh, apo thashetheme, ashtu sikurse ka ndodhur deri tani. “Hetimet duhet të jenë të menjëhershme, por problemi është se në Kodin Penal nuk ka asnjë dispozitë konkrete që të bëjë fjalë për hetimin e aktiviteteve sportive në të cilat paravendoset rezultati”, është shprehur kryetari i shoqatës së prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, në deklaratën e djeshme për shtyp. Në vazhdim të motos qeveritare “Me duar të pastra”, shoqata e prokurorëve dhe ZMQ kanë dalë në një konferencë për shtyp për deklaratat dhe akuzat e fundit për financime të dyshimta të sportit në vendin tonë. Me këtë moto ata kërkuan që të përmirësohet legjislacioni në lidhje me sportin, me qëllim që të lehtësohen hetimet në këtë drejtim. Sipas kryetarit të shoqatës së prokurorëve, zgjidhja e kësaj gjendjeje kritike në sport është ndëshkimi ligjor. “Është urgjente që Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të bëjnë me procedurë të përshpejtuar ndryshime në Kodin Penal për aktivitetet sportive në përgjithësi dhe në veçanti”, theksoi Hajdari. “Futbolli luhet me dy skuadra dhe në mes qëndron një top që kushton 20 mijë lekë të vjetra. Por ju siguroj, se nëse mes këtyre skuadrave luhet në mënyrë të pandershme, ai top mund të kushtojë miliona lekë”, ka thënë Hajdari. FSHF mbështet nismën Federata Shqiptare e Futbollit ka përshëndetur nismën e shoqatës së prokurorëve dhe të ZMQ-së në lidhje me kërkesat për ndryshime në legjislacion. “Nëse do të ketë një ligj të posaçëm ku përcaktohet qartë se trukimi i ndeshjeve është një vepër penale, atëherë kjo i shërben shumë futbollit dhe imazhit të tij, sepse kështu ekipet shqiptare do të jenë më të frenuara dhe më korrekte, si dhe imazhi ynë në arenën ndërkombëtare do të jetë më i pastër”, tha zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lysjen Nurishmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›