“Natën e 17 dhjetorit, Kadriu shkoi fshehtas te vila e Mehmetit”
• Ka qenë apo jo Kadri Hazbiu, mbrëmjen e 17 dhjetorit te vila e Mehmet Shehut?!afrim imajNë morinë e dëshmive për tradhtinë e ish-ministrit të Brendshëm në gjyqin e ‘83, zgjidhja e dilemës rreth këtij takimi të panjohur, e fut procesin në një rrjedhë interesante, ku dëshmitarët e ndarë në dy pjesë ndajnë qëndrime katërçipërisht të kundërta. E para që ka deponuar për këtë ngjarje të dyshimtë, ka qenë Fiqret Shehu e veja e ish-kryeministrit, e cila ka provuar të zbardhë më tej në proces të pathënat për atë çfarë është konsumuar në këtë takim.Mehmet Shehu pak çaste para vetëvrasjes ka marrë mesazhin e KGB-së nga Kadri Hazbiu! Deri këtu, bashkëshortja e ish-kryeministrit, ka qenë e vetme në këtë akuzë. Për më tej, trupi gjykues ka thirrur në seancë për të dëshmuar personelin e shërbimit të Kadri Hazbiut. Në dëshminë e shoferit pohohet, se pikërisht mbrëmjen e 17 dhjetorit, Kadri Hazbiu, diku aty nga ora 21 ka shkuar me të te vila e kryeministrit. Më shumë se kaq, në kujtesën e tij është regjistruar edhe një detaj misterioz: Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë Hazbiu e ka imponuar për t’u futur në bllok, ku ishte shtëpia e kryeministrit jo nëpërmjet rrugës së zakonshme përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, por nga një drejtim tjetër që kalonte midis rrugës së Shallvareve dhe hyrjes së vilës së Rita Markos që ishte në skajin tjetër të qytezës së udhëheqësve. Gjithsesi, përballja e Hazbiut me ish-shoferin e tij, nuk shton ndonjë gjë më tepër nga sa është deponuar deri në ato çaste. Të tjerët që futen në ballafaqim me të pandehurin VIP, përqendrohen në momentet që kanë kaluar me Kadri Hazbiun, pasditen dhe mbrëmjen e vonë të 17 dhjetorit. Shumëkush prej tyre ofron nga kujtesa e vet çastet e gëzueshme që kanë kaluar atë mbrëmje në datëlindjen e shefit të kabinetit të Hazbiut. Dallon ndër këto rrëfime, dëshmia e Veli Llakës, ish-shef i shtabit të Përgjithshëm, i cili pohon se pikërisht kur kishte ndodhur vetëvrasja e Mehmet Shehut, ata vazhdonin të këndonin labçe në shtëpinë e Ismet Isufit.... ARANIT ÇELA: Mirë, të vijë Belul Suku, shoferi i Kadriut.BELUL SUKU: Emri Belul, i biri i Hysenit...ARANIT ÇELA: Të kemi thirrur të na sqarosh rreth asaj natës së 17 dhjetorit. Lidhur me këtë çështje ku ke qenë, shkurt thuaj çfarë ke për të thënë...BELUL SUKU: Pasdite vonë në darkë, Kadri Hazbiu doli nga mbledhja e Byrosë Politike nga KQ, hipi në makinë dhe shkuam në ministri në zyrë. Ky hipi lart në zyrë, unë shkova në shtëpi me marrë duhan. Mora duhanin dhe u ktheva prapë në ministri. Nuk vonoi shumë sa i çova duhanin në zyrë dhe zbriti poshtë. Aty na tha, drejt poshtë për në shtëpi, kur erdhëm te ura tha, bjeri djathtas edhe u futëm në bllok.ARANIT ÇELA: Ku në bllok...BELUL SUKU: Në krahun e Shallvareve...ARANIT ÇELA: Kush e ka shtëpinë atje...BELUL SUKU: Ku rri shoku Rita Marko, sa kaluam atë më tha mua, mbaje këtu. E mbajta unë, ai zbriti dhe mori drejtimin për në thellësi të bllokut...ARANIT ÇELA: Gjë tjetër di...BELUL SUKU: Jo. Unë ktheva makinën, ky iku, unë ktheva makinën dhe e mbajta ndezur...ARANIT ÇELA: Afërsisht sa ka qenë ora..BELUL SUKU: Afërsisht ka qenë nja nëntë ose nëntë e gjysmë...ARANIT ÇELA: Nuk e mban mend...BELUL SUKU: Jo, me saktësi jo...ARANIT ÇELA: Ndenji shumë aty...BELUL SUKU: Jo, nuk u vonua...ARANIT ÇELA: Me orë nuk e di ti...BELUL SUKU: Me saktësi jo... GJYQTAR: Ti nuk e prite sa erdhi...BELUL SUKU: Unë ktheva makinën, nuk vonoi shumë kur u hap dera...GJYQTAR: Nga shkuat pastaj...BELUL SUKU: Shkuam në shtëpi...ARANIT ÇELA: Në shtëpi, pastaj nga shtëpia...BELUL SUKU: Morëm Halit Minxollin dhe shkuam në Laprakë tek Ismet Isufi, se kishte datëlindjen...RRAPI MINO: Kur vajtët në Laprakë, kishte filluar darka apo nuk kishte filluar...BELUL SUKU: Kur u afruam afër, unë dëgjova që këndohej këngë labçe edhe thamë, paskan filluar këta se shkuam vonë ne në shtëpinë e Ismetit. Sa lamë ata i hipëm makinës dhe shkuam hëngrëm bukë në “Shtëpinë e Oficerëve...RRAPI MINO: Të zotin e shtëpisë e takuat gjë juve atje...BELUL SUKU: Jo. Vetëm sa erdhi poshtë te shkallët i mori këta i shoqëroi lart edhe ne sa e pamë pastaj...ARANIT ÇELA: Këndonin kur shkuat ju afër shtëpisë së Ismetit... BELUL SUKU: Këndonin... ARANIT ÇELA: Kadri Hazbiu ke ndonjë pyetje...KADRI HAZBIU: Po, kam. Në dëshminë që kam lexuar unë në proces, në dosje Beluli thotë, që shkuam u futëm nga shtëpia e Rita Markos, po nuk më kujtohet zbriti ose jo nga makina, është kështu në proces, e saktë. Pyetja është këtu. Cila qëndron, se tani thotë, zbriti dhe nuk qëndroi shumë. Kurse në dëshminë e dhënë hetuesisë thotë, që nuk më kujtohet zbriti ose jo. Cila qëndron?ARANIT ÇELA: Kjo që the ti këtu është e vërtetë mor djalë...BELUL SUKU: Është e vërtetë, mëse e vërtetë...ARANIT ÇELA: Është e vërtetë.BELUL SUKU: Mëse e vërtetë, ai nuk qëndroi në makinë...KADRI HAZBIU: Domethënë qëndron kjo, jo ajo që thotë në proces...ARANIT ÇELA: Kjo është përgjigjja e tij...KADRI HAZBIU: E dyta që kisha unë për të thënë. Beluli është i sigurt në kujtesën e tij që kemi kaluar nga shtëpia e Rita Markos dhe kemi vajtur nga blloku... BELUL SUKU: Jam shumë i sigurt.KADRI HAZBIU: Në rregull... ARANIT ÇELA: Mund të largohesh. Të vijë dëshmitarja Eli Kokushta.ELI KOKUSHTA: Emri Eli, datëlindja 1950, e pa dënuar... ARANIT ÇELA: Të kemi thirrur ty Eli, të na tregosh vetëm për një fakt: Kur ka ardhur Kadri Hazbiu natën e 17 dhjetorit 1981 në shtëpinë e Ismet Isufit... ELI KOKUSHTA: Ismeti më 17 dhjetor të vitit ’81, kishte 35-vjetorin e lindjes dhe e dija para disa ditësh që ai do ta festonte datëlindjen, madje kishte mendimin që të thërriste edhe Kadri Hazbiun. Erdhi data 17 dhjetor. Ismeti u përgatit që të festonte datëlindjen. U bë një si ceremoni e vogël në sallën e kolegjiumit të ministrisë me shokët e drejtorisë dhe kaq. Pastaj, Kadri Hazbiu iku në mbledhje. Ismeti deri në pasdite ishte në dilemë, nuk e dinte do të vinte apo nuk do të vinte Hazbiu, në datëlindjen e tij në familje. Atëherë e mora në telefon se unë shkova në zyrë, mbasi kisha dalë e kisha blerë një dhuratë për Ismetin dhe më thotë Ismeti, që nuk e di. Me sa mora vesh unë, i thashë, siç më tha Veli Llaka, Kadri Hazbiu vazhdon të jetë në mbledhje. Megjithatë i thashë do të bisedoj me shoqëruesin e tij për ta pyetur nëse i ka thënë që e pret ti për darkë apo jo. Mora në telefon dezhurnin e KQ dhe më del shoqëruesi i Kadriut, Ymeri. I thashë që e njoftuat Kadriun, që e pret Ismeti për darkë. Më tha, se ai vetë nuk i kishte thënë gjë. E porosita që kur të dilte Kadriu në pushimin e mbledhjes t’i thoshte se Ismeti e priste në shtëpi. Ymeri më tha se do ta njoftonte. Në pushim të mbledhjes Kadriu më merr në telefon dhe më thotë që të shkonim në shtëpinë e Ismetit, se ai do të vonohej. Unë i thashë mirë, ndërkohë që i kujtova se Ismeti e priste se ishte përgatitur. Tha, unë do të mundohem, në qoftë se do të mbaroj shpejt, do të vij. Ne u nisëm rreth orës tetë. Unë isha me makinë, me Veli Llakën, Diftir Hysin dhe Çerçiz Xhelon. Mbërritëm aty rreth orës tetë. Kaloi mbi një orë e ca, tashti, unë që t’ju them këtu ekzaktësisht orën, po Kadri Hazbiu ka ardhur rreth orës 22. Mund të ketë qenë 10 pa çerek tashti, po rreth orës 22. Nuk e kam parë me përpikmëri se nuk kisha pse domethënë të isha shumë e vëmendshme që ora ishte kaq apo qe aq. Ra telefoni, doli e kapi Ismeti dhe na tha që do të vijë. Doli Ismeti poshtë e priti dhe ai erdhi. Për të ndenjur kemi ndenjur mbi tre orë e ca, se kur kam vajtur në shtëpi e kam parë orën që ishte një pa dhjetë...ARANIT ÇELA: Kur ka ardhur Kadri Hazbiu, kishte filluar pija...ELI KOKUSHTA: Kishim filluar...ARANIT ÇELA: Kishit filluar, kishit pirë...ELI KOKUSHTA: Po, kishim filluar.ARANIT ÇELA: Këndonit?...ELI KOKUSHTA: Po, këndonim. ARANIT ÇELA: Mirë. Kadri Hazbiu ke ndonjë pyetje...KADRI HAZBIU: Kam posi. Nëse Eli është e sigurt kur thotë që nuk i ka vënë vëmendjen orës. Është e sigurt në atë që thotë që unë vajta aty rreth orës 22, domethënë është e sigurt në këtë kuptim e kam...ARANIT ÇELA: Je e sigurt që rreth orës 22...ELI KOKUSHTA: Unë rreth orës 22 se kishim vajtur aty nga ora tetë e ca dhe kishim domethënë kohë që kishim filluar, prandaj them që ka qenë kaq. Unë thashë që nuk e pashë orën që ishte 9 e gjysmë apo 10 pa njëzetepesë apo qe...KADRI HAZBIU: Po në qoftë se është kështu, pse cakton orën 22, mund të thotë që nuk e pashë dhe vajti...ARANIT ÇELA: Ajo këtë cakton tashti...KADRI HAZBIU: Nuk kam tjetër...ARANIT ÇELA: Kokushta mund të shkoni. Të vijë Veli Llaka...VELI LLAKA: Emri i babait Muhamet, i nënës Naile, ditëlindja 1925... ARANIT ÇELA: U kemi thirrur për çështjen e darkës që është bërë më 17 dhjetor tek Ismet Isufi. Në ç’kohë ka ardhur Kadri Hazbiu atje...VELI LLAKA: Në datën 17 dhjetor oficer Ismet Isufi kishte përvjetorin e datëlindjes. Përveç tre katër shokëve të organizatës (së partisë) që kemi shkuar në këtë darkë, do të vinte dhe Kadri Hazbiu. E kemi pritur Kadri Hazbiun rreth orës 22 të mbrëmjes. Në orën 22 ka ardhur ai. Ka ardhur shumë i lodhur, i djersitur dhe shumë impulsiv. Sa ka ardhur ka kërkuar të falur se ka qenë në një mbledhje të Byrosë Politike, prandaj edhe u vonua. Kemi qëndruar atje deri në orën 24 e 30 minuta ose rreth orës 01 të mbrëmjes dhe pas kësaj jemi larguar për në shtëpitë tona. Unë kam ikur së bashku me makinën e Kadri Hazbiut, së bashku me një shoqe tjetër me atë Eli Kokushtën deri te shtëpia ime pastaj ai ka çuar më lart atë shoqen tjetër se kështu e kishim rrugën dhe me kaq u ndamë...ARANIT ÇELA: Në kohën që ka ardhur Kadri Hazbiu kishte, filluar pija, kënga, gjë...VELI LLAKA: Ne prisnim këtë se kishte thënë se do të vinte...ARANIT ÇELA: Mirë. Keni ndonjë pyetje Kadri Hazbiu...KADRI HAZBIU: Po, kam. Është i sigurt apo e jep me përafërsi Veliu atë orën 22...ARANIT ÇELA: Je i sigurt për orën 22:00 Veli Llaka?VELI LLAKA: Tashti saktë nuk e kam po rreth orës 22:00 ka qenë, rreth orës 22...KADRI HAZBIU: Çdo me thënë rreth orës 22:00. Si ta kuptojmë një çerek ore më prapa ose më para...VELI LLAKA: Mund të ketë qenë 21 e 45 mund të ketë qenë 22 e pesë ose 22 e 10 po rreth kësaj ore ka qenë...KADRI HAZBIU: Kërkoj që të evidentohet kjo çështje që thotë Veliu... vijon në numrin e ardhshëm...Si u ndërpre gjurmimi i zbulimit jugosllavPër lidhjet e hershme të Kadri Hazbiut me zbulimin jugosllav, një ish-funksionar i Sigurimit të Shtetit sjell në vijim të procesit gjyqësor të gushtit ’83, tri ngjarje që provojnë sipas tij, shërbimet e fshehta që ka bërë ish-ministri i Brendshëm për UDB-në. Dëshmitari Qani Tartale, ish-shef i sigurimit të hekurudhës Durrës-Tiranë në vitin ‘48, fillimisht pohon se pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Titon, ka marrë një raport të zgjeruar nga një kosovar të rekrutuar nga UDB-ja, i cili përveç reflektimit për aq sa kishte bërë, ka shprehur gatishmërinë për të punuar për zbulimin shqiptar në adresë të aktivitetit të UDB-së në Shqipëri. Po gatishmëria e tij është kthyer në një bumerang dhe kosovari Sadik Radeca ka përfunduar në pranga nga krerët e Ministrisë së Brendshme. Pas shpine sipas dëshmitarit Tartale, kishte një bashkëpunim të fshehtë midis Tiranës dhe Beogradit, me kupolë në krye të Ministrisë së Brendshme. Me këtë argument ish-sigurimsi hedh dritë edhe mbi një ngjarje tjetër që daton në vitin ‘57. Teksa ndiqte dikur gjurmët e një misionari të UDB-së, që i çonte një letër Hulsi Spahiut, në Durrës dhe raportoi në kohë për të prangosur agjentin e Beogradit, është këshilluar që herë tjetër mos të merret me të tilla çështje. I pari që e ka njohur me këtë qëndrim befasues ka qenë këshilltari rus në Tiranë, i cili e ka njoftuar zyrtarisht se tashmë gjurmimi i UDB-së nga Sigurimi Shqiptar ishte ndërprerë me urdhër. E kësaj natyre ka qenë edhe porosia që ka marrë për mos t’u angazhuar me informacionet e Dhora Lekës për bashkëpunëtorët e hershëm të UDB-së, gjoja si të pabesueshme, pasi ajo njihej si grua me moral të ulët...neser do te lexoniRrëfimi i ish-shefit të kabinetit të ministrit: Mbrëmjen e vetëvrasjes së Mehmetit, Kadri Hazbiu ishte i ftuar në shtëpinë time në Laprakë.Alibi e Hazbiut apo thjesht një rastësi ka qenë organizimi i 35-vjetorit të lindjes së Ismet Isufit, mbrëmjen e 17 dhjetorit ’81.Si e kujton pas 24 vjetësh ish-sekretari i ministrit të Mbrojtjes praninë e shefit të tij në ceremoninë familjare.Pse ish-ministri i Brendshëm këmbëngulte për ta quajtur farsë të Kadri Hazbiut datëlindjen e Ismet Isufit dhe a ishte e vërtetë që nëpërmjet kësaj fshihej takimi sekret me Mehmetin, pak çaste para vetëvrasjes.Çfarë rrëfen në gjyq Kadri Hazbiu, për mënyrën si e ka përjetuar lajmin për aktin e vetëflijimit të Mehmet Shehut.