“Lakuriqi i natës” në TOB
• “Lakuriqi i natës”, nesër ngjitet premierë në Teatrin e Operës dhe Baletit.Ndryshe nga operat e mëdha, kjo operetë është afër realitetit, megjithëse ajo luan shumë lirshëm me disa elementë të këtij realiteti dhe që rrëmben disa elementë ekstravagantë për të arritur një fund të ëmbël. Fakti që libreti i “Lakuriqi i natës”, i shkruar nga Haffner dhe Genee është adaptim i një vodevili parizien shkruar nga Meilhac dhe Halevy na kujton që historia e operetës ka nisur në Paris me Offenbach. Vjen për herë të parë në skenën shqiptare nën regjinë e Paul Flieder dhe koreografinë e Manjola Hasanit. Vepra me tre akte e cila do të ngjitet si premierë nesër në skenën e TKOB, si dhe në datat 19, 20, 21, 22 drejtohet nga mjeshtri koncertues Manfred Mayerhofer. Ndërsa në të marrin pjesë solistët, kori, orkestra dhe balerinët e TKOB. Gjurma e stilit parizien ndikoi operetën vjeneze që do t’i rrëmbente së parës satirën therëse për të ndërthurur aty elementë të farcës vjeneze. Shtraus e krijoi këtë muzikë të gëzuar dhe vallëzuese por asnjë moment sentimental, me një lehtësi të jashtëzakonshme, për 42 ditë dhe 42 netë dhe me një mjeshtëri të madhe. Uvertura e veprës është një model në muzikën klasike.