Superfaturë celulari: 85.000 dollarë në muaj
• Kanadezi Piotr Staniaszek mendonte, se me superofertën e tij do të kishte mundur të kërkonte në internet pa limit me celularin e tij.Një surprizë e hidhur iu shfaq në fund të muajit, fatura e telefonit të tij kishte kapur shifrën pikante prej 85.000 dollarë apo 58.000 euro. Sipas BBC, shoqëria telefonike më të cilën kishte bërë abonimin, “Bell Mobility”, i ka bërë një skonto të mirë duke e çuar shifrën për të paguar nga 85 000 në 3 243 dollarë. Klienti mendonte se sipas ofertës, atij do t’i duhej të paguante vetëm 10 dollarë, në këmbim të përdorimit të celularit të tij si modem për kompjuterin. Sipas asaj që kishte kuptuar klienti, me këtë shumë inferiore, ai do të mund të shkarkonte nga interneti çfarë të dëshironte, kështu ai i është futur punës dhe ka shkarkuar filma, videoklipe, e mijëra këngë me këtë shifër, por në fund të muajit ka kuptuar se gjërat nuk qëndronin pikërisht kështu. 22-vjeçari kanadez, Staniaszek, me gjithë uljen e madhe të çmimit që i bëri kompania telefonike, tha se nuk ka ndërmend të paguajë asnjë qindarkë dhe se përkundrazi, çështja e faturës së tij gjigande të celularit, do të përfundojë në gjykatë.